AlbanianSport.com 09.07.2015 13:35
ASNN – Përveç Partizanit, edhe dy ekipet e tjera shqiptare që marrin pjesë në veprimtarinë e dytë të klubeve të kontinentit, Ligën e Evropës, luajnë sonte ndeshjet e kthimit të turit të parë eliminator. Nënkampionia e Shqipërisë, Kukësi, e cila përballet me bjellorusët e Torpedos së Zhodinos, e luan sonte, duke nisur nga ora 18:00, takimin e kthimit. Skuadra verilindore arriti një fitore 2-0 në takimin e para një jave, të luajtur në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” në kryeqytet dhe shkon në ndeshjen e sotme duke i pranuar të 3 rezultatet për të siguruar kualifikimin. Në fakt, nga të 3 ekipet shqiptare, Kukësi është në pozicion më të volitshëm për të siguruar turin e dytë. Skuadra tjetër që luan në turin e parë të Ligës së Evropës, Laçi, shkon në ndeshjen e kthimit azerët e Inter Bakusë, pas barazimit 1-1 që arriti në ndeshjen e parë. Në takimin që do të luhet sonte, duke nisur nga ora 18:00, në kryeqytetin e Azerbajxhanit, kurbinasit, fitues të Kupës së Shqipërisë, do të synojnë gjejnë sa më shpejt golin që do t’i mbante në vallen e kualifikimit.