AlbanianSport.com 08.07.2015 10:15
ASNN – Pas një sezoni të kënaqshëm me klubet përkatëse, por edhe me fanellën kuqezi në Eliminatoret e “Evropianit 2016”, merkatoja e verës premtoi lëvizje të bujshme për lojtarët e Kombëtares së Shqipërisë. Por shumë pak është materializuar kjo merkato për futbollistët e përfaqësueses sonë, pasi vetëm njëri prej tyre ka ndërruar zyrtarisht klub, ndërsa të tjerët mbeten thjesht në kuadër të hipotezave që gëlojnë rëndom gjatë verës.
Kështu, përkundër një nisje të vrullshme, që premtoi edhe lëvizje të bujshme, merkatoja e verës po rezulton më tepër spekulime për një numër lojtarësh të Kombëtares, të cilët erdhën pas një sezoni të kënaqshëm me klubet përkatëse, por edhe me fanellën kuqezi në Eliminatoret e Evropianit 2016. i vetmi deri tani që ka ndërruar adresë, është sulmuesi Sokol Cikalleshi, që ndërroi kampionatin kroat me atë turk, ku do të luajë për skuadrën e Istanbul Bashakshehirit.
Një tjetër sulmues kuqezi, Hamdi Salihi, është hëpërhë pezull dhe, në pritje të një përgjigjeje nga një klub izraelit, që mendohet të jetë edhe Hapoeli i Tel Avivit, ka zgjedhur të luajë për Skënderbeun në ndeshjet e tureve eliminatore të Ligës së Kampioneve. Po kështu është pezull edhe e ardhmja e sulmuesve të tjerë kuqezi, siç është Bekim Balaj, i cili është përfolur për një interesim të Lacios, apo Shkëlzen Gashi, i cili është e sigurt se do ta lërë Zvicrën.
Por harta e adresës së tij të ardhshme është zgjeruar gjeografikisht, midis Italisë, Gjermanisë dhe Anglisë. Duke u zhvendosur në mesfushën kuqezi, interesimi është në rritje edhe për Ergys Kaçen, i cili, sipas të gjitha gjasave, sezonin e ardhshëm nuk do të luajë në Greqi, ashtu sikundër nuk do të luajë sezonin e ardhshëm në Zvicër, edhe Taulant Xhaka, i cili duket se do të zbresë më në jug, drejt Italisë. Natyrisht, edhe në mbrojtja kuqezi ka protagonistët e saj në merkato, ku spikat kapiteni Lorik Cana.
Ai ka deklaruar se do të largohet nga Lacio, ndërsa e ardhmja e tij shtrihet në aksin Francë-Gjermani. Së fundi, por jo më së paku, ai që po spikat në këtë merkato është mbrojtësi Elseid Hysaj, i cili do ta braktisë Empolin dhe është përmendur për një kalim të mundshëm te Napoli, por edhe për një interesim të trajnerit të Çellsit, Zhoze Murinjo. Megjithatë, deri më 31 gusht 2015, kur edhe mbaron afati i merkatos së verës, gjithçka mund të ndodhë.