AlbanianSport.com 08.07.2015 07:55
ASNN – Përfaqësuesja e Nën-23-vjeçarëve të Mikronezisë thyen sërish rekordin botëror përsa i përket humbjes më të rëndë në historinë e futbollit. Vetëm pak ditë pas disfatës 0-30 me Tahitin dhe humbjes rekord 0-38 me Fixhin, Mikronezia pëson një humbje akoma më të thellë, këtë radhë 46-0, pikërisht në takimin me Vanuatun, në një sfidë të vlefshme për ndeshjet eliminatore për Lojërat Olimpike të Rio de Zhaneiros.
Në fakt, kjo është humbja e tretë që pëson në përmasa të tilla përfaqësuesja e Mikronezisë, një bashkim federatash të një numri të madh ishujsh me një popullsi prej 152.000 banorësh. Kjo disfatë me shumë gjasa nuk do të futet në rekordet zyrtare të FIFA-s pasi Mikronezia nuk është anëtare dhe bëhet fjalë për një veprimtari ku përfshihen vetëm futbollistët nën moshën 23 vjeç.