AlbanianSport.com 07.07.2015 11:25
ASNN – Lionel Mesi nuk pati forcë të çojë rrugëtimin e Argjentinës në “Copa America” deri në fund. Kili mposhti “bardhekaltërit” në finale pas ekzekutimit të 11-metërshave. Kjo është finalja e dytë e humbur e Argjentinës në veprimtari të mëdha. Para një viti humbi në botërorin “Brazil 2014” përballë Gjermanisë.
Kështu, Lionel Mesi ishte prapë afër suksesit me përfaqësuesen e Argjentinës, por sërish dështoi. Mesi nuk dukej si ylli që zakonisht të shtunave mbrëma udhëheq Barcelonën drejt triumfeve të mëdha, pasi Argjentina u mposht në finale të “Copa America”-s nga Kili.
Koha e rregullt dhe shtesat u mbyllën pa gola, kurse nga pika e bardhë e 11-metërshave, Kili ishte më i saktë, duke fituar 4-1 para tifozëve të vet në Santiago. Mesi, që ka fituar katër herë radhazi “Topin e Artë” shënoi 11-metërshin e vetëm të Argjentinës në finale.
Kurse gjatë ndeshjes ka pasur një paraqitje të dobët, duke dështuar ta udhëheqë ekipin drejt fitores. Për Mesin ky ishte 11-metërshi i dytë i realizuar gjatë serive nga pika e bardhë në “Copa America”. Dëshpërimi i së shtunës mbrëma për Argjentinën dhe Mesin vjen gati një vit pas dështimit në finalen e Kampionatit Botëror “Brazili 2014”.
Dhe kjo do të bëjë që kritikët të këmbëngulin edhe më shumë se “Mesi nuk luan mirë për Argjentinën, sikundër bën me Barcelonën”.