AlbanianSport.com 06.07.2015 15:45
ASNN – Duket si një rezultat i një ndeshjeje fëmijësh, por është në fakt rezultati i një ndeshjeje zyrtare ndërkombëtare. Fixhi e theu rekordin për fitoren më të thellë në histori, duke e mposhtur të dielën me rezultatin 38-0 përfaqësuesen e Shtetit Federativ të Mikronezisë, në takimin e zhvilluar në kuadër të Lojërave të Paqësorit.
Fixhi e “dërrmoi” kundërshtarin qysh në pjesën e parë, të cilën e mbylli me shifrat 21-0, ndërsa në atë të dytë shtoi edhe 17 gola, për ta mbyllur ndeshjen me rekord golash. Atonio Tuivuna shkëlqeu me 10 gola të, duke ia mundësuar vendit të tij kualifikimin në Olimpiadën e vitit të ardhshëm, “Rio 2016”.
Ndërsa Mikronezia do të mbetet në shtëpi, pasi nuk është e njohur nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar. Në fakt, Turneu i Konfederatës së Futbollit të Oqeanisë po duket i vështirë për Mikronezinë, e cila në kuadër të Grupit A ishte mundur 0-30 dy ditë më parë nga Tahiti.
Megjithatë, rezultati i arritur nga Fixhi nuk do të njihet nga FIFA, pasi Mikronezia nuk është pjesë e këtij organizmi. Australia e mban rekordin e fitores më të thellë në histori, pasi e kishte mposhtur Samoan Amerikane me rezultatin 31-0, në takimin e vlefshëm për Eliminatoret e Botërorit 2002. Australiani Arçi Tompson shënoi 13 gola në atë takim.