AlbanianSport.com 03.07.2015 11:10
ASNN – Kukësi e ka bërë si duhet detyrën në përballjen e parë me Torpedon bjelloruse, duke fituar 2-0 dhe duke qenë favorit për t’u kualifikuar në turin e dytë të Ligës së Evropës. Edhe pse mbeten dhe 90 minuta për t’u zhvilluar, skuadra kuksiane ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit, pasi fitorja ishte e merituar, bindëse edhe mund të ishte edhe më e thellë nëse do të shfrytëzoheshin si duhet rastet. Braziliani Karioka në pjesën e parë, dhe kroati Pejiç, në të dytën, vulosën fitoren e verilindorëve.
Ndërkaq, Laçi u përball dje në turin e parë të veprimtarisë së dytë të klubeve të kontinentit, në ndeshjen e parë, me Inter Bakunë e Azerbajxhanit, duke barazuar 1-1 dhe duke mos marrë maksimumin apo atë që meritonte nga kjo përballje, duke pritur sfidën e kthimit jo si favorit, por me shpresë për një kualifikim të mundshëm. Rastet e pastra në fundin e ndeshjes i kanë komplikuar llogaritë e Laçit, që tashmë duhet patjetër të shënojë në fushë të huaj, për të shpresuar te kualifikimi.
Kurse Partizani ka humbur 3-1 përballjen e parë me norvegjezët e Stromsgodsetit, duke pësuar një disfatë të rëndë dhe që mund të ketë pasoja negative për vazhdimësinë. Ekipi vendas u shfaq shumë më i fortë dhe “katenaçoja” e përgatitur nga trajneri Sulejman Starova nuk dha efektet e dëshiruara, pasi Stromsgodset ishte dukshëm superior dhe e dominoi takimin si në lojë dhe në rezultat, duke gjetur hapësirat e nevojshme për ta fituar ndeshjen. Vendasit fituan me një gol të shënuar në pjesën e parë dhe dy në të dytën, ndërsa për Partizanin realizoi me anë të Fazlliut.