Adriatik Balla 03.07.2015 07:55
Merkato e klubeve të Kategorisë Superiore po zhvillohet e fuqishme dhe interesante, me ndërthurje të lojtarëve vendas dhe të huaj, ku nuk mungojnë dhe surprizat, por të tilla mund të priten sidomos në ditët në vijim. Skënderbeu ka befasuar me lëvizjet e fundit, duke u forcuar akoma më shumë me prurjet e reja. Kështu, dje klubi korçar zyrtarizoi lëvizjen e radhës, pasi mori brazilianin Francisko Duarte. Skënderbeu godet sërish në merkato duke i besuar produkteve të vendit që është një binom i pandarë me futbollin, Brazilit.
Kampionët e Shqipërisë njoftuan se kanë bërë të tyrin brazilianin Francisko Lisvaldo Daniel Duarte, futbollist që do të bashkohet këtë të premte me skuadrën në Austri, ku Skënderbeu ndodhet për fazën përgatitore. Francisko Lisvaldo Daniel Duarte, i njohur me nofkën “Eskuerdinja”, është një mesfushor i avancuar që luan edhe si sulmues i dytë. 24-vjecari, nëse i hedh një sy videos që gjendet për të në Internet, në “You Tube”, spikat me aftësitë e tij teknike dhe kualitetin ku kuptohet se preferon të luajë në krahun e majtë.
Pikëpyetjet në këtë drejtim mund të lindin vetëm me formën e tij aktuale duke qenë se futbollisti brazilian nuk ka luajtur asnjë ndeshje në këtë vit në Serinë B të futbollit brazilian, kategori ku është aktivizuar gjatë karrierës së tij me skuadra si Bragantino, që ka qenë ekipi i tij i fundit para transferimit te Skënderbeu, por edhe me Sousan, Boa Esporten dhe Treze Futebol Club. Skënderbeu i trajnerit Mirel Josa do të shpresojë dhe synojë të shkojë në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve. Ky do të ishte padyshim një sukses historik, që mund t’i sillte shumë të ardhura ekipit korçar dhe përfitime jo të vogla edhe kampionatit dhe futbollit shqiptar në tërësi.