AlbanianSport.com 01.07.2015 14:55
ASNN – Kampionati Botëror i Futbollit të Femrave, i cili po zhvillohet në Kanada, ka njohur mbrëmë finalisten e tij të parë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë mundur Gjermaninë 2-0 në gjysmëfinalen e parë. Ndërsa sonte, duke nisur nga ora 1:00 pas mesnate, Japonia ndeshet me Anglinë. Sikundër çdo veprimtari madhore, këto dy gjysmëfinale, së bashku me finalen e 4 korrikut, po sillen për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Veprimtaria më madhore ndërkombëtare e futbollit të femrave, Kampionati Botëror, i cili po zhvillohet në Kanada, ka njohur të martën finalisten e parë të tij dhe ajo është Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila ka triumfuar ndaj Gjermanisë me rezultatin 2-0 dhe pret e qetë të njohë sonte kundërshtaren e finales së madhe të 4 korrikut që do të dalë nga dueli i pasmesnatës midis Japonisë dhe Anglisë.
Në fakt, përballja midis amerikaneve dhe gjermaneve, e cila ishte cilësuar si një finale e parakohshme midis dy përfaqësueseve që i kanë dhënë tonin futbollit botëror të femrave në dy dhjetëvjeçarët e fundit, e ka mbyllur me rrjeta të paprekura pjesën e parë. Ndërkaq, në pjesën e dytë, Gjermania do të ketë mundësi të kalojë në epërsi në minutën e 63-të.
Por Shashiç do ta shkojë dëm 11-metërshin e akorduar në favor të skuadrës së saj. Rregulli i pashkruar i futbollit do t’i ndëshkojë menjëherë gjermanet, pasi vetëm 6 minuta më pas, Llojdi do të tregohet e saktë nga pika e bardhë dhe do t’i kalojë amerikanet në epërsi. Ndërkaq, 6 minuta para përfundimit të kohës së rregullt, O’Hara do të gjejë edhe golin e dytë, duke vulosur vendin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në finale.
Sot pas mesnate, Japonia ndeshet me Anglinë në gjysmëfinale dhe sikundër çdo veprimtari madhore, edhe ky takim, së bashku me finalen e 4 korrikut, do të sillen për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.