AlbanianSport.com 30.06.2015 09:05
Reali i Madridit për herë të parë në historinë e tij ka gjasa maksimale të ketë në gjirin e vet një shqiptar. Bëhet fjalë për Shkodran Mustafin, futbollistin nga Maqedonia që luan për përfaqësuesen e Gjermanisë. Mustafi ka kaluar një sezon të shkëlqyer në kampionatin spanjoll me Valencian dhe është rritur ndjeshëm, duke pasur një rol lideri në ekip, madje duke marrë vlerësime maksimale për paraqitjen e tij dhe duke qenë shpesh në 11-shen më të mirë në javë të ndryshme të La Ligës në Spanjë.
Kjo paraqitje ka ndikuar që ai të ketë interesimin e shumë klubeve, përfshi dhe Realin e Madridit. Ky interes është në rritje, sepse nga gjiri i madrilenëve pritet të largohet mbrojtësi kryesor i grupit, Serxhio Ramos dhe Mustafi shihet si pasues ideal i tij. Madje nga të gjithë mbrojtësit shihet më i avantazhuari dhe kjo është pozitive për mbrojtësin shqiptar. I pyetur për interesimin e mundshëm të madrilenëve, mbrojtësi i Kombëtares gjermane u përgjigj: “Në këto momente jam me pushime”.
“Por kush nuk do të lumturohej nëse dëgjon për interesimin e Realit. Kjo do të thotë që kam treguar një nivel të lartë gjatë sezonit të kaluar. Nuk ka lojtar që nuk do të gëzohej”, u shpreh Mustafi, i entuziazmuar nga joshja që sjell interesimi i klubit më të madh në botë. Kujtim Mustafi, babai i futbollistit, konfirmoi se ka patur kontakte nëpërmjet telefonit në lidhje më një transferim të mundshëm të Shkodranit te Reali, por asgjë më shumë.
23-vjeçari mbërriti te Valencia sezonin e kaluar për 8 milionë Euro dhe firmosi një kontratë që është e vlefshme deri në vitin 2019 me një klauzolë largimi që kap shifrën e 50 milionë Eurove. Mirëpo Mustafi nuk është opsioni i vetëm për zëvendësimin e Serxhio Ramosit. Edhe mbrojtësi tjetër i Valencias, Otamendi, i cili është i grumbulluar me Argjentinën në Kupën e Amerikës, konsiderohet një alternativë shumë e mirë për qendërmbrojtjen e Realit. Emra të tjerë të përmendur nga mediat janë Bonuçi, Laporte dhe Kosielni. Të gjithë këta emra do të bien poshtë nëse Ramosi vendos të qëndrojë në Madrid.