AlbanianSport.com 28.06.2015 18:20
ASNN – Kampioni shqiptar i botës, Shkodran Mustafi, është vendosur në qendër të merkatos së verës, pasi janë disa prej klubeve më të mëdha të futbollit evropian, që kanë shprehur interes për lojtarin e përfaqësueses gjermane. Bajerni i Mynihut, është një tjetër gjigant që ka hyrë në garë për mbrojtësin shqiptar, Shkodran Mustafin.
Sipas mediave spanjolle, kampionët e Gjermanisë, janë të interesuar për shërbimet e mbrojtësit shqiptar të Valencias. Pas Realit të Madridit dhe Barcelonës, tashmë edhe “bavarezët” e duan futbollistin shqiptar të përfaqësueses së Gjermanisë. Vitin e kaluar, Mustafi iu bashkua Valencias, duke ardhur nga Sampdoria, duke vijuar të bëjë një paraqitje të shkëlqyer me skuadrën spanjolle.
Ndërkaq, Hosep Maria Bartomeu ka premtuar disa yje nëse rizgjidhet president i Barcelonës. Paul Pogba, Angel Di Maria, por edhe Arda Turan i Atletikos së Madridit është gjithashtu një nga synimet e Bartomeut, teksa në listë është edhe mbrojtësi shqiptar, Shkodran Mustafi.
Ky i fundit po kërkohet me ngulm edhe nga Reali i Madridit, pas paraqitjeve fantastike që pati këtë edicion me Valencian. Kreu aktual i klubit katalan u ka premtuar tifozëve të skuadrës së tij nënshkrimin me disa yje gjatë kësaj merkatoje. Bartomeu këto premtime i ka bërë para zgjedhjeve për president në klub, duke synuar ta fitojë një tjetër mandat.