AlbanianSport.com 27.06.2015 15:10
Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s do të mblidhet më 29 e 30 qershor, por Kosova nuk është në axhendë, shkruan sot e përditshmja e mirënjohur kosovare, “Koha Ditore”. Në mbledhjen e fundit të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s para hedhjes së shortit për Eliminatoret e Botërorit të vitit 2018, nuk do të diskutohet për Kosovën.
Mbledhja e radhës e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s do të mbahet më 29 e 30 qershor në Pragë, ndërsa shorti i Eliminatoreve për Botërorin “Rusi 2018”, do të hidhet më 25 korrik 2015, në Shën Pjetërburg të Rusisë. Mbledhja tjetër e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s do të mbahet vetëm më 17 e 18 shtator 2015, në Maltë.
Kosova synon të jetë pjesë e Eliminatoreve për Botërorin e vitit 2018, që nisin në vjeshtë të vitit 2016, përkatësisht më 4 shtator të vitit të ardhshëm. Botërorin e organizon Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA), por ishte pikërisht Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s që konfirmoi formatin e garave kualifikuese të zonës evropiane, në mbledhjen që e mbajti më 22 e 23 maj 2015.
Sipas një njoftimi të UEFA-s, pas asaj mbledhjeje Rusia kualifikohet direkt, ndërsa Gjibraltari, që është anëtar i UEFA-s, nuk merr pjesë në Eliminatore, pasi nuk është anëtar i FIFA-s.