AlbanianSport.com 26.06.2015 21:25
ASNN – Gara individuale me kronometër ka qenë e para e veprimtarisë tjetër më të rëndësishme e organizuar nga Federata Shqiptare e Çiklizmit, Kampionatit Kombëtar të Çiklizmit. Sot, në ditën e parë të konkurrimit kanë dalë kampionë në katër kategori, paratërinj, të rinj, Nën-23-vjeç dhe të rritur. Kështu, pas Rrethit Çiklistik të Shqipërisë, Federata Shqiptare e Çiklizmit ka organizuar një tjetër veprimtari të rëndësishme.
Ka qenë gara e kronometrit individual, për paratërinj, të rinj, Nën-23-vjeç dhe të rritur ajo që i ka dhënë nisjen kësaj veprimtarie. Sipas itinerarit, të parët garuan paratërinjtë, që përshkuan 12 km me nisje nga TEG-Kristal Center në formë cirkuiti, duke nxjerrë fitues Ridvan Tafilin e Teutës. Pas tij, në vendin e dytë dhe të tretë u renditën Bruno kola i Vllaznisë dhe Sali Ballgjini i Teutës.
Për të rinj, kohën më të mirë e realizoi çiklisti shqiptar që pedalon në Itali me ekipin Romanjano, Klidi Jaku. Ai realizoi kohën 31 minuta e 21 sekonda, duke lënë pas, çiklistin e Apolonisë Marolino Hoxha dhe legjionarin tjetër kuqezi, Realdo Ramaliu. Të rinjtë përshkuan një itinerar më të gjatë se paratërinjtë, duke bërë dy xhiro cirkuit, 24 km TEG-Kristal Center.
Me interes pritej gara në kategorinë e të rriturve. Eugert Zhupa, pjesëmarrës në Xhiron e Italisë dhe Lojërat e para Olimpike Evropiane “Baku 2015” u kurorëzua “kampion” në kronometrin individual. Çiklisti i skuadrës profesioniste “Southeast” në Itali, arriti kohën 43 minuta e 55 të qindtat, duke lënë pas Besmir Banushin e Apolonisë dhe Donaldo Mukajn e Flamurtarit.
Ndërsa për kategorinë e Nën-23-vjeçarëve, vendin e parë e zuri Iltjan Nika. Në këtë edicion të kësaj gare marrin pjesë 60 çiklistë.