AlbanianSport.com 25.06.2015 14:15
ASNN – Edhe pse nuk garoi në Olimpiadën e Parë Evropiane, për shkak të një dëmtimi, Majlinda Kelmendi ia ka dalë prapëseprapë t’i sigurojë Kosovës një trofe në kryeqytetin azer, Bakù. Ajo është shpallur edhe zyrtarisht xhudistja më e mirë e Evropës për vitin 2014. Sportistja pejane e ka marrë çmimin e më të mirës së kontinentit gjatë një ceremonie të mbajtur të mërkurën në Bakù.
Majlinda Kelmendi edhe zyrtarisht është shpallur xhudistja më e mirë e Evropës për vitin 2014. Xhudistja kosovare e ka marrë çmimin e më të mirës së kontinentit gjatë një ceremonie të mbajtur të mërkurën në kryeqytetit të Azerbejxhanit, Baku. Ajo e mori këtë çmim pas paraqitjeve të saj të jashtëzakonshme në Kampionatin Evropian dhe Botëror, ku në të dy garat e fitoi medaljen e artë. Sportistja pejane nuk mori pjesë në Lojërat e para Olimpike Evropiane, që po mbahen në kryeqytetin azer, për shkak të një dëmtimi, por ajo ishte flamurmbajtësja e Kosovës në ceremoninë e hapjes së “Baku 2015”. Këto Lojëra Olimpike shënuan në fakt njohjen e plotë të Kosovës në arenën sportive botërore, pasi delegacioni kosovar prej 18 sportistësh mori pjesë me të drejta të plota në të gjitha garat e kësaj veprimtarie madhore. Majlinda Kelmendi e mori çmimin si më e mira në një mbrëmje gala të Federatës Evropiane të Xhudos, që u mbajt të mërkurën në mbrëmje në Baku. Më herët ishte bërë e ditur në një letër që Federata Evropiane e Xhudos i kishte dërguar Federatës së Xhudos të Kosovës. Ku shkruhej se Kelmendi është e nominuar si xhudistja më e mirë evropiane për vitin 2014 dhe ka fituar në këtë kategori. Është hera e dytë rresht që 24-vjeçarja nga Peja shpallet zyrtarisht xhudistja më e mirë në Evropë. Në prill të vitit të kaluar asaj iu nda çmimi si xhudistja më e mirë e kontinentit të vjetër për vitin 2013.