Adriatik Balla 23.06.2015 14:55
Shqipëria u bën një mbyllje të mirë Lojërave Olimpike Evropiane që po zhvillohen në Baku të Azerbajxhanit, pasi dje erdhi i pari vend i parë në këtë veprimtari për ngjyrat kuqezi. Ishte pikërisht atletja Luiza Gega, e cila ka fituar vendin e parë, në vrapimin e 1500 metrave. Gega e arriti e para finishin, me kohë 4 minuta, 11 sekonda e 58 të qindtat.
Ky është i pari vend i par që fitohet nga Shqipëria në kryeqytetin azer. Në përgjithësi mund të thuhet se Gega bëri një garë shumë të mirë, megjithëse nuk ishte rezultati i saj më i mirë. Në këtë disiplinë sportive ajo garon me sukses në nivele evropiane, por sfidën më të madhe e ka në Botëror dhe Olimpiadë, ku atletet afrikane kanë më shumë cilësi.
Është pikërisht Luiza Gega që mban lart flamurin kuqezi pasi arriti të shpallej fituese në garën e 1500 metrave. Ajo çka e bën më të ëmbël këtë sukses është fakti se Gega vendos automatikisht edhe rekordin e Lojërave Olimpike Evropiane, me kohën 4 minuta, 11 sekonda e 58 të qindtat. 26-vjeçarja la pas në këtë garë rivalen izraelite Maor Tijuri dhe kundërshtaren nga Luksemburgu, Martine Nobili.
Koha e Gegës është mbresëlënëse krahasuar me vendin e dytë pasi ajo e preu finishin
rreth 15 sekonda më shpejt. Ky është i pari vend i parë i Gegës në “Baku 2015” pas argjendit të arritur të hënën në garën e 800 metrave. Mes garuesve të tjerë, Astrit Kryeziu nuk arriti të futej në zonën e medaljeve në garën e 800 metrave me vetëm një vend të katërt, ndërsa Izmir Smajlaj u rendit i pesti në 3-hapësh.
Shqipëria do të mbajë mend në këto lojëra një përfaqësim jo dhe aq të mirë, po të mendohet fakti se në gara morën pjesë 28 sportistë kuqezi, por realisht vetëm dy sportistë u futën në zonën e medaljeve. Pretendimet kanë qenë më të mëdha, sidomos në boks dhe në mundje, por edhe në çiklizëm. Parë në këtë kuadër, dështimi ish te i konsiderueshëm.
Por gjurmët e tij zhduken, pasi Gega dhe Smajlaj i dhanë Shqipërisë 3 vende nderi dhe kjo mund të vlerësohet pozitivisht. Një medalje e artë dhe dy argjendi ishte rezultati më i mirë i Shqipërisë në këto Lojëra Olimpike, që ishin të parat në historinë e sportit në Evropë