Nga Adriatik Balla 22.06.2015 17:05
Lojtarët kuqezinj po spikasin me klubet e tyre në Evropë, dëshmuar me minutazhin e konsiderueshëm të aktivizimit si titullar, pasimet e shumta, saktësinë e paraqitjeve dhe, natyrisht, pritshmëritë në rritje. Por në Evropë nuk shkëlqejnë vetëm kuqezinjtë e përfaqësueses, por edhe të rinjtë dhe paratërinjtë që aktivizohen me klube të ndryshme kontinentale, sidomos në kampionatet e ndryshme italiane.
Të rinjtë e angazhuar me ekipet e ndryshme italiane në disa kategori kanë regjistruar rezultate shumë të mira e madje kanë dalë edhe kampion në kategorinë e të rinjve me skuadrat e tyre. Në këtë mënyrë, Italia prej vitesh është kthyer në arenën ku futbolli shqiptar pasqyron vlerat më të mira. Tare, Bogdani, Cana, Berisha, Hysaj apo Basha janë disa nga emrat që kanë shkëlqyer në futbollin italian.
Por tashmë shqiptarët po kapërcejnë çdo tabu dhe së fundmi emrat e tyre figurojnë si kampionë të Italisë. Sigurisht që nuk bëhet fjalë për futbollistë që të aktivizohen me Juventusin por për të rinj të cilët këtë sezon janë shpallur “kampionë” të Italisë me grupmoshat e tyre.
Në muajt e ardhshëm Federata Shqiptare e Futbollit do të ndërmarrë nisma evidentimi dhe seleksionimi të elementëve të talentuar midis moshës 15-19 vjeç, në mënyrë që këta lojtarë të rinj të talentuar të zgjedhin të luajnë për ekipet e moshave të Shqipërisë dhe më pas me Kombëtaren A. Kjo pasi nga këta elementë varet shumë cilësia e lojës së Kombëtares, pasi kanë marrë një formim futbolli në shkollat e njohura evropiane.