Adriatik Balla 22.06.2015 13:25
Futbolli shqiptar përfaqësohet në mënyrë dinjitoze edhe në nivel moshash në futbollin italian, duke bërë që e ardhmja e përfaqësueses shqiptare të jetë në rrugën e duhur. Në këtë mënyrë, Italia prej vitesh është kthyer në arenën ku futbolli shqiptar pasqyron vlerat më të mira. Por tashmë shqiptarët po kapërcejnë çdo tabu dhe së fundmi emrat e tyre figurojnë si kampionë të Italisë.
Madje në finale shqiptarët nuk kanë qenë vetëm tek skuadrat fituese por edhe tek finalistja. Kështu në finalen e të rinjve u përballën Torino me Lacion, fituesi i të cilës doli nga pika e bardhë e 11-metërshave. Tek torinezët luajti për 85 minuta mesfushori Federiko Zenuni, 18-vjeçari i cili është pjesë e skuadrës kuqezi të Nën-19-vjeçarëve të Altin Lalës.
Më parë, ai është aktivizuar edhe në urdhrat e Xhemal Mustedanagiçit me Kombëtaren e Nën 17-vjeçarëve. Ndërsa tek Lacio u aktivizua Klej Verkaj, 18-vjeçari me origjinë shqiptare, por që ka luajtur për përfaqësueset e moshave te Gjermanisë. Në këtë finale Zenuni ka bërë një paraqitje të mrekullueshme duke qenë një nga më të mirët. Zëvendësimi i tij erdhi për shkak të freskimit që trajneri Longo bëri në mesfushë, dhe duke parë mundësinë e shkuarjes së finales drejt 11-metërshave.
Ndërkohë në finalen e paratërinjve midis Romës dhe Empolit nuk mungoi derbi i shqiptarëve ku kryeqytetasit triumfuan me përmbysje rezultati. Tek verdhekuqtë u aktivizua Lirim Kastrati në minutat e fundit të takimit, ndërsa tek toskanët për rreth 70 minuta u aktivizua Katriel Islamaj.