Adriatik Balla 22.06.2015 10:40
Sulmuesi Xhevahir Sukaj ka refuzuar ofertën e Laçit, të paktën për këtë periudhë vere kur luhet në Ligën e Evropës. Edhe pse ditët e fundit u fol për një kalim të tij në radhët e
klubit kurbinas, Sukaj po pret ofertën konkrete nga një skuadër e huaj, që mësohet se luan në Ligën e Evropës dhe natyrisht paguan më mirë.
Lajmin e konfirmon vetë shkodrani për mediat, duke theksuar se ai nuk dëshiron ta humbasë mundësinë që gjatë këtij sezoni të luajë me një skuadër tjetër në fazën e grupeve të kësaj veprimtarie, duke thënë: “Me gjithë respektin që kam për Laçin, vendosa të mos luaj me këtë skuadër pasi jam në pritje të një oferte nga jashtë shtetit.”
“Bëhet fjalë që luan në Ligën e Evropës dhe kjo është një mundësi që nuk mund ta djeg me dy federime të ndryshme”, – ka shtuar 27-vjeçari shkodran.
Kështu, ai nuk ka dhënë asnjë adresë të saktë për destinacionin e tij të ardhshëm. Në vijim ai shtoi se e vlerëson faktin që drejtuesit e fituesit të Kupës së Shqipërisë i bënë një ofertë, por rruga e tij do të vazhdojë në një tjetër drejtim. Sukaj i kaloi tre sezonet e fundit në radhët e iranianëve të Sepahan dhe prej pak muajsh ai është një lojtar i lirë.
Me Sepahanin ai është aktivizuar në 59 ndeshje dhe ka shënuar 15 gola.