Adriatik Balla 22.06.2015 08:50
Kombëtarja Kuqezi ka bërë një edicion fantastik deri tani në Eliminatoret e Kampionatit Evropian “Francë 2016”, duke qenë një skuadër pretendente për të marrë pjesë në këtë aktivitet vitin e ardhshëm. Për momentin skuadra ndodhet në vend të tretë, pas Portugalisë dhe Danimarkës, por ka një ndeshje më pak, si dhe një mundësi në Këshillin e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë, për ndeshjen e ndërprerë ndaj Serbisë në Beograd dhe të humbur në tavolinë nga vendimi i UEFA-s.
Natyrisht, në asnjë ndeshje tjetër kuqezinjtë nuk kanë humbur, kanë barazuar një e fituar dy takime dhe kjo është pozitive. Këto rezultate të mira kanë ndikuar që lojtarët e Kombëtares të marrin shumë vëmendje dhe në agjencitë ndërkombëtare të futbollit që janë nën vëzhgimin e UEFA-s dhe një ndër ta edhe agjencia e monitorimit të vlerës së kartonëve të futbollistëve në treg. Nga hulumtimet e fundit, rezulton se lojtarët shqiptarë kanë shtuar me 1/3 e vlerës së mëparshme pozitat e tyre në merkato, duke u bërë lojtarë mjaft të kërkuar nga klubet elitare evropiane.
Vlera e tyre në treg i ka kaluar tashmë 50 milionë euro dhe bëhet fjalë vetëm për lojtarët e formacionit që luajti ndaj Francës në miqësoren e 13 qershorit. Fitorja në testin miqësor me Francën i ka shërbyer shumë Kombëtares shqiptare, pasi tashmë kuqezinjtë jo vetëm që do të jenë në vazon e tretë për eliminatoret e Botërorit 2018, por vlera e futbollistëve në merkato është rritur ndjeshëm. Sipas faqes së specializuar në Internet, Transfermarkt.com, futbollistët e grumbulluar nga De Biazi për sfidën me formacionin e Deshompit kanë njohur rritje në treg.
Kështu nga 23 lojtarët e grumbulluar bie në sy që çmimin më të lartë në merkato e mban Elseid Hysaj, emri i të cilit lakohet si një përforcim për Napolin në sezonin e ardhshëm. Është e paevitueshme rritja e çmimit për futbollistët që mbyllën sezonin në kampionatin shqiptar si portieri Alban Hoxha, mbrojtësit Amir Rrahmani dhe Arbnor Fejzullahu dhe mesfushori Afrim Taku. Gjithashtu bie në sy rritja e çmimit edhe për lojtarët e tjerë si Andi Lila, autori i golit ndaj Francës Ergys Kaçe, sulmuesit Bekim Balaj dhe Sokol Cikalleshi.
Në total vlera në treg e skuadrës së De Biazit që u grumbullua për miqësoren me Francën shkon në 20.7 milionë stërlina, teksa bie në sy mosha mesatare që shkon diçka më lart se 25 vjeç. Ndërkohë që po të shtosh emrat e futbollistëve të cilët luajtën si titullarë në sfidën eliminatore ndaj Armenisë vëren se vlera në merkato e kuqezinjve është akoma më e lartë. Kështu Shkëlzen Gashi vlerësohet në treg me vlerën 4.4 milionë stërlina, Mërgim Mavraj 1.5 milionë, Taulant Xhaka 2.2 milionë teksa Amir Abrashi 1.76 milionë stërlina.