Adriatik Balla 22.06.2015 07:55
Shqipëria ishte shumë pranë një dështimi skandaloz në Lojërat e para Olimpike Evropiane, pasi, kur mbeteshin edhe pak ditë nga përfundimi i kësaj veprimtarie, sportistët tanë nuk kishin fituar asnjë medalje apo garë. Por dje pasdite erdhën sukseset e para dhe në një farë mase lehtësimi i delegacionit tonë sportiv, pasi atletja e vrapimeve Luiza Gega dhe atleti i kërcimit së gjati Izmir Smajlaj, fituan vendin e dytë në disiplinat e tyre, duke dhuruar rezultate të mira dhe duke u ngjitur në podium.
Madje dhe koha e regjistruar nga Gega dhe rezultati i kërcimit së gjati tek Smajlaj, janë të niveleve të larta, gjë që na ndihmon të shpresojmë për më të mirën edhe në veprimtaritë e ardhshme kualifikuese për në Lojërat Olimpike Verore të Rios në vitin 2016. Dy garuesit shqiptarë shkëlqyen në disiplinat e ndryshme të mbretëreshës së sporteve, atletikës duke koleksionuar dy vende të dyta çka përkthehen praktikisht në dy medalje argjendi.
Por duhet sqaruar se në atletikë, në këtë olimpiadë, nuk ka medalje individuale, pasi është një garë ekipore. Fillimisht ishte 22-vjeçari nga Shkodra, Izmir Smajlaj ai që arriti të garoi deri në fund për vendin e dytë në kërcimin së gjati, por distanca e tij më e gjatë, 7 metra e 52 centimetra, ishte 12 cm larg paraqitjes më të mirë të pasdites që u dhurua nga gjeorgjiani Khorava. Vendi i dytë, i fituar nga atleti shkodran, paralajmëroi suksesin edhe për Luiza Gegën që u rendit e dyta në garën e 800 metrave për femra.
26-vjeçarja e lindur në Dibër, e cila e kryesoi garën, e preu finishin në vendin e dytë pas luksemburgases Sharlinë Mathias, me rreth gjysmë sekondi më shumë, ndërsa zbriti në vendin e fundit të podiumit azeren Komarova, me 16 të qindtat më shumë. Dy sukseset e arritura në pistën e atletikës e zhvendosin Shqipërinë në vendin e 35-të në tabelën e vendeve me suksese, po aq sa edhe Maqedonia.