Adriatik Balla 21.06.2015 12:35
Flamurtari bën një tjetër goditje cilësore në merkato. Përveç dy futbollistëve që ndodhen tashmë në Vlorë, Stanislav Levi mund të përforcojë radhët e skuadrës së tij edhe me sulmuesin kroat 21-vjeçarin Dejan Cabraja, i cili nëse merr miratimin e trajnerit çek, do të huazohet nga Lokomotiva e Zagrebit.
Klubi vlonjat, pas një sezoni negativ ka filluar të lëvizë në tregun e shitblerjeve këtë verë dhe gjatë kësaj të shtune ka mbyllur marrëveshjen me kroatin Dejan Cabraja, që ka firmosur në ambientet e klubit kuqezi. Cabraja vjen nga Superliga kroate, ku në sezonin e fundit ka luajtur me skuadrën e Rudas, ku ka qenë i huazuar.
Ndërsa kartonin e tij ka Lokomotiva e Zagrebit, me të cilën lojtari ka një kontratë deri në qershor të 2017-s. Cabraja, aktivizohet si sulmues i dytë dhe mund të jetë një vlerë e shtuar për këtë repart. Në ditët në vazhdim pritet të firmosë gjithashtu dhe mesfushori kosovar Gramoz Kurtaj.
24-vjeçari mund të ndihmojë ekipin vlonjat të forcohet në mesfushë, reparti që edicionin e kaluar nuk ndihmoi grupin të bënte diferencë e t’i jepte ekipit kuqezi staturën e pretendentit.