AlbanianSport.com 20.06.2015 18:45
ASNN – Futbollisti i Kombëtares, Bekim Balaj, mund të kalojë në Itali te skuadra e Lacios gjatë merkatos së verës. Qëndërsulmuesi shqiptar i Rijekës është vënë në shënjestër të drejtorit sportiv të bardhekaltërve, Igli Tare, i cili ka nisur kontaktet me klubin kroat për ta transferuar 24-vjeçarin shqiptar në Romë.
Lajmin e bëjnë të ditur mediat elektronike italiane në Internet, të cilat theksojnë se Balaj konsiderohet si një investim për të ardhmen. Balaj mund të kalojë në Serie A gjatë vitit 2016 dhe Tare po punon që të mbyllë marrëveshjen që gjatë muajve të verës. Në rast se palët bien dakort, atëherë Balaj mund të qëndrojë te Rijeka deri në muajin janar.
Më pas, ai do të kalojë te Lacio ku i duhet të luftojë për të bindur trajnerin Pioli që ka në skuadër dy sulmues me eksperiencë si Miroslav Klose dhe Filip Xhorxheviç. Rijeka kërkon 4 milionë Euro për kartonin e sulmuesit kuqezi që synon të transferohet në një kampionat më të fortë për t’u rritur edhe më shumë profesionalisht.
Pak ditë më parë ishte vetë presidenti i Rijekës që e pranoi se në adresë të Balajt kanë ardhur oferta nga Gjermania por kjo është hera e parë që emri i sulmuesit shkodran lidhet me një klub italian.