Adriatik Balla 20.06.2015 17:40
Partizani zyrtarizoi dje dy blerjet më të reja, mbrojtësin Rejnaldo Kalari dhe mesfushorin Alsid Tafili. Për trajnerin Sulejman Starova afrimi i këtyre futbollistëve është një tjetër tregues i objektivave të qarta që skuadra e kuqe ka në sezonin e ri. Plotësimi i të gjitha reparteve dhe dublimi i çdo pozicioni është synimi kryesor i drejtuesve të Partizanit, deri në ditën e fundit të merkatos.
Rejnaldo Kalari u shfaq i emocionuar në prezantimin me skuadrën e kuqe, ndikuar kjo nga e kaluara me rivalët bardheblu. Por mbrojtësi i majtë ka premtuar se do të japë gjithçka për të respektuar besimin e drejtuesve të Partizanit. Kalari do të duhet të zëvendësojë një futbollist si Cuculi, që pavarësisht se luajti vetëm një sezon arriti të lërë gjurmë tek kjo skuadër, por mbrojtësi i majtë evitoi çdo mundësi krahasimi.
Një e papritur për opinionin sportiv ishte blerja e mesfushorit Alsid Tafili, po jo për shkodranin që duket se nuk është menduar dy herë për tu transferuar tek Partizani. Konkurrenca e madhe në repartin e mesfushës duket se nuk e shqetëson aspak mesfushorin më të ri të të kuqve. Dy futbollistët i janë bashkuar skuadrës së kuqe në përgatitjet e saj për konkurrimin në Ligën e Evropës teksa ditët e ardhshme do të hidhet
edhe shorti.