Adriatik Balla 20.06.2015 14:25
Klubi i Skënderbeut vijon përgatitjet për turin eliminator të Ligës së Kampioneve në Austri me synimin për të bërë histori edhe në Evropë pas arritjes së titullit të 5-të radhazi “kampion”. Skuadra korçare vijon përgatitjet me dy seanca stërvitore në ditë para miqësores me çekët e Spartakut të Tërnavës, që do të zhvillohet pasditen e së shtunës.
Përballja do të jetë një mundësi e trajnerit Mirel Josa për të kolauduar skuadrën si dhe për të testuar futbollistët e rinj, sulmuesin brazilian Mateus Lima, bashkatdhetarin e tij Romulo Kabral, por dhe vlonjatin Arbër Abilaliaj që tashmë është bashkuar me grupin. Problem për Skënderbeun është duke u kthyer ndërkohë çështja e Olajinkës, i cili ende nuk ka shkuar në Austri.
Siç bëhet e ditur në mënyrë zyrtare nga klubi, kjo ka ndodhur pasi ai ka hasur probleme me marrjen e vizës. Sulmuesi nuk është aktivizuar me skuadrën që prej shkurtit të kaluar, kur edhe u pezullua nga Komisioni i Disiplinës dhe Josa kërkon që ta ketë në çdo mënyrë gati për të dhënë kontributin e tij në ndeshjet e Ligës së Kampioneve, që ofrojnë një shans vërtet të mirë për Skënderbeun.
Kampionët e Shqipërisë kanë siguruar vendin në vazon e parë të shortit duke patur mundësi të mira që të përballen me një kundërshtar të kalueshëm në turin e dytë eliminator, ku nëse sigurojnë kualifikimin do të kishin në çdo rast të garantuar rrugëtimin evropian minimalisht deri në “play-off”-in Ligës së Evropës.