Adriatik Balla 19.06.2015 13:10
Mesfushori Taulant Xhaka dhe sulmuesi Shkëlzen Gashi, mund të ndjekin trajnerit e tyre, Paulo Souza, te Fiorentina. Dy futbollistët e Kombëtares shqiptare, po monitorohen me shumë kujdes nga klubi vjollcë. Për t’i hequr çdo dyshim në kokë presidentit Dela Vale për blerjen e dy shqiptarëve të Bazelit, mendon Xhovani De Biazi, i cili në një prononcim për mediat italiane shprehet se si Xhaka ashtu edhe Gashi, do të ishin goditje të rëndësishme në merkato për skuadrën vjollcë.
Fillimisht trajneri kuqezi, analizon cilësitë e 24-vjeçarit energjik, Taulant Xhaka. “Është një “Jolly” (një lojtar i gjithkungjindshëm) në mbrojtje dhe mesfushë dhe mund të mbulojë disa role: mbrojtës anësor në linjën me 4, si në të djathtë dhe në të majtë, dhe mbrojtës qendre në linjën me 3”, – ka deklaruar kreu i stolit kuqezi. – Te Bazeli, Paulo Souza e ka vendosur shpesh në korsitë anësore edhe në rreshtimin me 3. Është një motor i pashtershëm, një pikë e fortë si në Kombëtaren shqiptare, ashtu edhe te Bazeli.”
Sipas trajnerit të Kombëtares, fakti që në krye të Fiorentinës do të jetë Souza, do të bënte më të thjeshtë përshtatjen e Xhakës në futbollin italian. “Pa dyshim që është gati të luajë në Serinë A, – ka thënë ai. – Loja dhe fiziku i tij mund ta shndërrojnë në një blerje shumë të rëndësishme për Fiorentinën apo për ndonjë skuadër tjetër italiane. Pastaj, nëse do të ketë sërish trajner Paulo Sozën, është një garanci më shumë për të dhe për vetë skuadrën vjollcë. Kush më mirë se portugezi mund të nxjerrë në pah cilësitë e Xhakës?” – përfundoi De Biazi.