Adriatik Balla 17.06.2015 16:35
Një rikthim në Marsejë, aty ku ka edhe shtëpinë, do të ishte diçka e mirëpritur edhe nga vetë Lorik Cana, që mund të zhbllokojë dhe operacionin e Lacios për afrimin e Florian Thovënit. Megjithatë që kjo lëvizje të kompletohet duhet marrë miratimi i palëve dhe, mbi të gjitha, mendimi i Canës, i cili në “Major League Soccer” (MLS) të SHBA-së mund të përfitojë më shumë në aspektin financiar. “Këtë vit dua të largohem nga klubi nëse gjej diçka interesante”, – ka deklaruar 31-vjeçari për mediat.
– Dëshira ime është të luaj në një tjetër kampionat, para se ta mbyll karrierën, – ka vijuar ai. – Ka mundësi të luaj në Evropë, por edhe jashtë saj. Gjermania e ka një kampionat që më tërheq shumë, por ka edhe vende të tjera si SHBA-ja, ku së fundmi kanë kaluar shumë lojtarë të mëdhenj. Nuk ka të bëjë vetëm me aspekt ekonomik, por dua ta përjetoj një eksperiencë të re. Dhe, kam dëshirë të madhe të luaj në Ligën e Evropës dhe në Ligën e Kampioneve.”
Sipas Canës, Drejtori Sportiv i Lacios, Igli Tare, ishte motivi kryesor që ai iu bashkua ekipit “Bardhekaltër”. Në fund duhet shtuar fakti se Cana mbetet lojtari me më shumë peshë në ekipin kombëtar, diktuar jo vetëm nga shiriti i kapitenit që ai mban, por edhe nga roli thelbësor i tij në repartin e mbrojtjes si dhe numri i madh i ndeshjeve që ka luajtur me kuqezinjtë. Ndaj Francës, Cana luajti ndeshjen e tij të 84-t me ekipin përfaqësues, duke thyer një rekord më vete.