Adriatik Balla 16.06.2015 09:00
Lëvizje që mund të ngjallin shpresë për më shumë cilësi në radhët e lojtarëve të skuadrës tonë kombëtare, pasi elementët e saj po tentojnë të shkojnë në klube më të mëdha në këtë merkato vere. Duan sukses edhe më të madh dhe kjo është pozitive. Një gjë e tillë reflektohet nga ofertat që kanë marrë shumica e tyre, ndërkohë që disa lëvizje kanë ndodhur tashmë. Tek Lacio po ziejnë shqiptarët, sepse Lorik Cana ka kërkuar largimin dhe e ka konfirmuar një gjë të tillë edhe babai i tij, duke përmendur Bundesligën si destinacionin e mundshëm të tij.
Por ditët e fundit është vënë në lëvizje edhe portieri Thomas Strakosha, djali i ish-portierit legjendar të Kombëtares, Foto Strakosha. Djaloshi 20-vjeçar kërkon mundësi aktivizimi dhe Lacio, për të mos e djegur, ka kërkuar që ai të transferohet te Salernitana, për të luajtur atje si titullar, pra në Serinë B. Sa i takon portierit të përfaqësues tonë, Etrit Berisha, ai nuk do të lëvizë nga Lacio dhe këtë e ka qartësuar dhe vetë në intervistat e shumta që ka dhënë gjatë këtyre ditëve. Kapiteni kuqezi Lorik Cana nuk është shqiptari i vetëm që pritet të largohet nga Lacio në këtë merkato vere.
Sipas mediave italiane, drejtuesit lacialë për mendojnë t’i japin më shumë mundësi aktivizimi portierit Thomas Strakosha, duke e transferuar te Salernitana e sapongjitur në Serinë B. Në fakt skuadra nga Salerno është në pronësi të Klaudio Lotitos, numrit një të Lacios, ndaj kjo shihet se një lëvizje brenda familjes. 20-vjeçari ka qenë zgjedhje e tretë në portën e bardhekaltërve pas Federiko Marketit dhe Etrit Berishës e për rrjedhojë nuk ka gjetur hapësira në ekipin e parë.
Pas eksperiencës që ka fituar me të rinjtë e Lacios, portieri i Shpresave të Shqipërisë është gati të luajë në nivele më të larta, por gjithçka duhet të vijë gradualisht. Fillimisht Strakosha duhet të tregojë vlerat e tij si portier i Salernitanës, për të synuar më pas edhe portën e Lacios.