AlbanianSport.com 15.06.2015 09:00
ASNN – Në prag të pjesëmarrjes në Lojërat e Para Olimpike Evropiane, “Baku 2015”, ku do të konkurrojë si në 800 metra, ashtu edhe në 1500 metra, Luiza Gega ka zhvilluar një tjetër garë të dielën në mbrëmje, ku ka garuar në Marok, në stacionin e radhës të veprimtarisë së dytë ndërkombëtare individuale të atletikës, që njihet si “Uërlld Çellenxh”.
Sportistja shqiptare Luiza Gega ka marrë pjesë në garën e radhës të veprimtarisë së dytë ndërkombëtare individuale të atletikës, që njihet si “Uërlld Çellenxh” dhe të dielën stacioni i radhës ka qenë ai i Rabatit në Marok. Në fakt, ndryshe nga gara e pak ditëve më parë në “Diamond Ligë“, që u zhvillua në Romë dhe u karakterizua nga ritmi i lartë, gara e Rabatit ka qenë mjaft e ngadaltë.
Kohët e regjistruara në të kanë qenë të kushtëzuara edhe nga temperaturat e larta të ajrit në stadiumit. Mjafton të përmendim këtu faktin se vendi i parë, që u mor nga atletja e Polonisë, Sofia Enaui, regjistroi kohën 4 minuta, 5 sekonda e 64 të qindtat, që është shumë larg kohëve më të mira të regjistruar në Romë para pak ditëve. Në një finale të ngjeshur, Luiza Gega arriti i 8-ta në finish, me kohën 4 minuta, 7 sekonda e 95 të qindtat.
Duhet theksuar se, ashtu siç kishte paralajmëruar më parë vetë atletja dhe trajneri i saj, Taulant Stërmasi, gara e Marokut do të shërbente si një “banko-provë” për dy garat e saj në Lojërat e Para Olimpike Evropiane, “Baku 2015”, ku Gega do të konkurrojë si në 800 metra, ashtu edhe në 1500 metra.