AlbanianSport.com 14.06.2015 16:35
ASNN – Një skandal i madh ndodhi në ndeshjen midis Kroacisë dhe Italisë për Eliminatoret e Evropianit, e mbyllur në barazim 1-1 në stadiumin pa spektatorë të qytetit të Splitit. Në barin e prerë ishin lënë gjurmët e simbolit nazist, kryqi i thyer.
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kroacisë, Damir Verbanov, shenjën famëkeqe “Svastikën” e nazistëve, që është parë në fushë gjatë barazimit 1-1 me Italinë, e ka quajtur si poshtërim për shtetin.
Ndeshja e vlefshme për eliminatoret e EURO 2016-tës u zhvillua me dyer të mbyllura pasi tifozët kroatë kënduan këngë raciste në ndeshjen kundër Norvegjisë gjatë muajit mars.
Shenja naziste ishte e dukshme në një pjesë të fushës dhe ishte e pamundur të fshihej nga mirëmbajtësit e stadiumit. “Është poshtërim për Kroacinë”, – ka thënë Verbanovi pa e fshehur zhgënjimin.
“Në Milano ndeshja gati sa nuk ishte ndërprerë, tani duhet të turpërohemi përsëri, – ka vijuar ai. – Ne e kemi vizituar fushën dhe sot nuk kishte asgjë të dukshme, këtë ua kemi thënë edhe zyrtarëve.”
“Shpresoj që huliganët të mos fitojnë, ne jemi këtu për të mbrojtur futbollin, Kroacinë dhe qytetin e Splitit”, – shtoi ai. Kryqi ishte i dukshëm gjatë pjesës së parë të ndeshjes në fushën e stadiumit ”Poljud”. Punonjës të fushës ndërhynë gjatë pushimit për ta fshirë atë.