Adriatik Balla 14.06.2015 14:25
Mesfushori Blerim Xhemaili rikthehet në kampionatin zviceran. Futbollisti me origjinë shqiptare ka rënë dakord me skuadrën e Sionit dhe në ditët e ardhshme pritet të firmosë një kontratë 5-vjeçare me ekipin e drejtuar nga presidenti Kristian Konstantin. Nga marrëveshja e arritur 29-vjeçari që luan për përfaqësuesen e Zvicrës pritet të përfitojë në total rreth 12,5 milionë Euro, afërsisht 2,5 milionë Euro në vit.
Kështu, përfundoi pas vetëm 1 sezoni aventura e Blerim Xhemailit me fanellën e Gallatasarajit. Me gjiganden e Turqisë, ish-lojtari i Napolit zhvilloi në total 20 ndeshje duke realizuar vetëm 1 gol. Tashmë Xhemaili do të nisë një aventurë të re në Superligën zvicerane te skuadra e Sionit, plot 8-vjet pas largimit të tij nga FC Zyrihu, ekip tek i cili 29-vjeçari i lindur në Tetovë nisi karrierën në futbollin profesionist.
Me Sionin, Blerim Xhemaili do të ketë mundësi të luajë në Ligën e Evropës, pasi skuadra e tij e re në sezonin e fundit mposhti në finalen e Kupës Zvicrës 3-0 Bazelin duke siguruar automatikisht pjesëmarrjen në fazën e grupeve të veprimtarisë të dytë më të rëndësishme të klubeve në Evropë.