Adriatik Balla 13.06.2015 18:45
Kuqezinjtë kanë zbritur në fushë në mbrëmje përballë Francës në një takim miqësor, por vëmendja e tyre do të jetë edhe në ndeshjen zyrtare të grupit I, midis Danimarkës dhe Serbisë, e cila luhet në orën 20:45. Në këtë ndeshje, serbët kanë shansin e fundit të tyre për të shpresuar të mbajnë ritëm në grup, në të kundërt dalin automatikisht nga gara për kualifikim, pasi kanë vetëm një pikë në klasifikim, kur mbeten deri në fund edhe 4 ndeshje.
E rëndësishme është kjo sfidë dhe për Danimarkën, e cila kërkon me çdo kusht fitoren për të arritur kualifikimin direkt, duke qenë e avantazhuar për shkak të fushës. Kuqezinjtë e kanë duelin e tyre direkt me Danimarkën, pasi ndodhemi në kuotë të barabartë pikësh, nga 7 secila. Vendin e parë në grup e mban Portugalia me 9 pikë në katër takime. Portugezët kanë humbur vetëm një ndeshje, atë përballë kuqezinjve në ndeshjen hapëse të eliminatoreve.
Më pas, ata i kanë fituar përballjet e tyre ndaj Danimarkës, Armenisë dhe Serbisë. Kualifikimi është në lojë matematikisht për të gjitha skuadrat, por pas portugezëve, Shqipëria dhe Danimarka kanë shanse të barabarta, ku përcaktuese do të jetë ndeshja direkte, që do të luhet në shtator në Kopenhagen.