Adriatik Balla 13.06.2015 15:30
Një ngjarje e madhe për sportin shqiptar në tërësi ndodhi dje, pasi Kosova për herë të parë ishte pjesëmarrëse në një eveniment të madh të sportit ndërkombëtar, siç janë Lojërat Evropiane, të parat në historinë e tyre.
Kosova u përfaqësua nga delegacioni i saj dhe mori duartrokitje të mëdha nga publiku. Madje delegacioni i Kosovës, së bashku me flamurin e shtetit të Kosovës parakaluan në sytë e presidentit rus Vladimir Putin, njeriu që po lufton me çdo mjet të pengojë Kosovën në arritjet e saj dhe në njohjet ndërkombëtare.
Flamurin e Kosovës e mbante në duar sportistja më e mirë e xhudos shqiptare, Majlinda Kelmendi, e cila nuk do të futet në garë për shkak dëmtimi.