AlbanianSport.com 13.06.2015 07:55
ASNN – Për kapitenin e kombëtares Lorik Cana kjo ndeshje është disi më e veçantë për shkak të kaluarës së tij teksa ka luajtur për disa vite në Francë me PSG dhe Olimpikun e Marsejës. Cana e quajti shtëpi të dytë Francën, por theksoi se dëshiron t’u shkaktojë humbjen e parë nga Shqipëria, ndaj dhe do të bëjë maksimumin ashtu si të gjithë lojtarët.
Lidhur me shtyrjen e vendimit nga ana e CAS-it për ndeshjen Serbi-Shqipëri, kapiteni kuqezi theksoi se tashmë asgjë nuk është në dorën e lojtarëve apo federatës, pasi të gjitha provat i kanë dorëzuar në institucionin më të lartë të vendimmarrjes dhe u takon atyre vendimi. Megjithatë, ai kujtoi e shpresa nuk është venitur ende. Në fund Cana kërkoi mbështetje maksimale nga tifozët.
Ai kujtoi se ekipi është përgatitur si duhet për të bërë një ndeshje cilësore, duke qenë i bindur se kuqezinjtë mund t’ia dalin për të marrë një rezultat pozitiv. Për miqësoren me Francën, De Biazi ka vendosur të luajë me këtë formacion: Berisha, Hysaj, Cana, Ajeti, Aliji, Basha, Kace, Lila, Roshi, Cikalleshi dhe Lenjani. Gjyqtarët e takimit do të jenë turq, me kryesor Hails Ozakaja.
Një fitore ndaj Francës do ta vendoste Shqipërinë në vazon e tretë për Eliminatorit e Botërorit “Rusi 2018”. Fitorja ndaj vendit organizator të fazës finale të “Euro 2016”-s, do t’i jepte 98 pikë Shqipërisë në renditjen e FIFA-s. Aktualisht kuqezinjtë ndodhen në vendin e 51-të, me 624 pikë, fitorja ndaj Francës do ta çonte në 722 pikë, duke i dhënë një shtysë të madhe.