De Biazi: Unë me lojtarët, si babai me fëmijët, nuk jemi “në ushtri” (II)

Share Button

Kombetarja-Stervitje-2014-De-Biazi-garrumull

Marrë nga “Top Channel” 12.06.2015 16:35

ASNN – Një ditë pas marrjes së pasaportës shqiptare, ai ndihet shumë i motivuar për të fituar ndeshjen e 13 qershorit me Francën.

Karriera, familja, jeta në Shqipëri, në një rrëfim të sinqertë për Jonida Shehun, nga Durrësi, ku është grumbulluar kombëtarja kuqezi.

AlbanianSport.com do t’jua sjellë në 3 pjesë intervistën e trajnerit italiano-shqiptar të Kombëtares kuqezi dhe dje ishte pjesa e parë, sot vjen e dyta, ndërsa nesër e treta dhe e fundit.

 

…Vijon nga dje

 

– Si është jeta juaj private?

– Vajza jeton në një qytet tjetër tani, sepse po studion për mjekësi. Është në vitin e 4-t e po del mirë. Studion fort. Me gruan takohem më shpesh.

 

– A vjen në Shqipëri ajo?

– Deri tani s’ka ardhur. S’ka pasur mundësi prej punës, si dhe prej faktit, që shpesh jam unë ai që udhëtoj e jam në shtëpi. Në Shqipëri vij për punë e për kombëtaren, ndaj s’do të kisha kohë të rrija me të. Në verë mund të udhëtojmë nëpër Shqipëri.

 

– A ia ke shpjeguar sesi është të jetosh dhe të punosh këtu në Shqipëri?

– S’është nevoja t’ia shpjegoj, sepse ajo e përjeton realitetin tim. Lexon shumë dhe e kupton. Patëm një grup miqsh, që erdhën para 3 muajsh e shëtitën nëpër Shqipëri, në pjesën fushore, në zonat historike të Gjirokastrës, Butrintit, Beratit dhe patën mbresa vërtet të mira për Shqipërinë, e cila duhet vlerësuar më shumë se tani. Besoj se do ta bëjë kryeministri.

 

– Kthehemi te futbolli, CAS-i nuk ka marrë ende vendimin për ndeshjen, që na tronditi të gjithëve, atë me Serbinë, jo vetëm profesionalisht, por edhe personalisht. Çfarë duhet të presim tani nga ky vendim?

– Unë e kam të vështirë të them sot, se mund të presim që të vihet drejtësi. Uroj vetëm që të vihet drejtësi, e të jepet ajo që të tjerëve u është dhënë me lehtësi. Pësuam dhunë, luajtëm me vështirësi të mëdha në një stadium jo të sigurt, ku s’kishte mbrojtje e vërtet rrezikuam të mos ktheheshim me këmbët tona. Kjo ishte ana më e keqe për ne. Por si gjithnjë, e di që drejtësia nuk është e njëjtë për të gjithë, edhe pse duhej të ishte ashtu. Shpresa është që CAS-i t’i zgjidhë gjërat. S’dua të them më shumë.

 

– Kur do të jetë data e vendimit?

– Teorikisht, data e vendimit është të premten (aktualisht e shtyrë për më 10 korrik). Por mund ta shtyjnë. Shpresoj që jo, e që ky vendim të merret e të jetë në favorin tonë.

 

– Mendon që, nëse vendimi do të merret të premten do të ndikojë në formën, emocionet dhe atmosferën, me të cilën kombëtarja do të futet në fushë kundër Francës?

– Sido që të jetë vendimi, them se do të na japë nxitje të reja. Nëse është pozitiv, do të kemi më shumë shtysa për ta fituar garën. Nëse do të jetë negativ, do të zemërohemi e do të luajmë fort për të rifituar atë që humbëm. Por, mendoj se do të ndikojë shumë në të ardhmen, sepse midis humbjes dhe fitores ka një ndryshim domethënës. Për ne do të ishte të kishim bërë një hap të madh përpara, drejt udhës që duam ta çojmë deri në fund.

 

– Këto 3 pikë, sa të rëndësishme janë për ne. Pyes në emër të atyre, që s’janë marrë kurrë me llogaritë e futbollit?

– Tre pikët do të ishin thelbësore. Po të marrim 3 pikë do të ishim të parët në klasifikim, do të kishim mundësinë t’i luanim ndeshjet e tjera ndryshe. Të gjitha strategjitë janë ndryshe, nga të gjitha pikëpamjet. Por edhe motivimet do të ishin ndryshe. Them se vendimi i CAS-it është shumë i rëndësishëm për ne.

 

– Nëse futemi pak më thellë në skuadër, si i keni marrëdhëniet me djemtë e skuadrës? Keni ndonjë të preferuar dhe a ndihet kjo gjë?

– Atmosfera është ajo e babait me fëmijët, të them të drejtën, dhe respekti i madh që kemi në role. Ata e respektojnë shumë mënyrën time të punës dhe unë kam respekt për ta. Kemi një marrëdhënie shumë miqësore. Shpesh bëjmë shaka, e nëse gjërat shkojnë mirë bëjmë edhe më shumë. Por s’kemi një qëndrim ushtarak. Kemi një marrëdhënie me shumë besim e vlerësim. Përpiqemi të punojmë me buzëqeshje, e jo me klimën e regjimit të dikurshëm.

 

– Po gjithsesi, autoriteti i trajnerit…

– Them se autoriteti nuk vlen, por vlen autorësia. Ajo e bën ndryshimin. Nëse atë që thua e jep në formë urdhri nga lart, nuk ngulitet brenda mendjes, po aq sa ç’ngulitet nga respekti për personin që e thotë. Ajo që thotë ai është fjala e Ungjillit, thuhet nga ne. Është një dogmë, diçka së cilës i besoj. E di se, ajo që do të them do të të ndihmojë të shprehesh më mirë në punën e përditshme.

 

– Ky modeli juaj i të drejtuarit të një kombëtareje, të një grupi… është modeli që kanë pasur trajnerët tuaj më parë, gjatë karrierës futbollistike?

– Është një përvojë që e kam fituar me kohën, me menaxhimin e burimeve njerëzore, të lojtarëve apo të punëtorëve, që njeriu ka në dispozicion. Është një qasje ndryshe, që ka secili prej nesh. E rëndësishme është të nxjerrësh anën më të mirë, të atyre që ke nën drejtim. S’mund të kesh të njëjtin çelës për të gjithë. Me dikë mund të sillem ndryshe, me tjetrin ndryshe. Rëndësi ka të më japësh 110% të asaj që ke. Kjo është e rëndësishmja. Ti dhe ai duhet të jeni gjithnjë në sintoni. Unë duhet të jem i zoti të sheshoj mosmarrëveshjet. Sepse, nëse ndodhin mosmarrëveshje dhe i lë pa ndërhyrë asnjëherë, në fund këto probleme krijojnë një tjetër problem shumë më të madh. Mund të duken të parëndësishme, por janë gjërat që vendosin ekuilibrin mes gjërave dhe bëjnë ndryshimin. Janë detaje të vogla.

 

– Autoriteti me grupin është diçka, po autoriteti me autoritetet? Me Federatën Shqiptare të Futbollit?

– Me Federatën kam marrëdhënie shumë të mira. Me presidentin e me të gjithë këshilltarët, që merren zakonisht me kombëtaren. Kemi shumë vlerësim e më kanë lënë shumë liri për t’i menaxhuar situatat. Them se kanë besim në punën time e të stafit, dhe s’më kanë krijuar kurrë probleme nga kjo pikëpamje. Pra, presidenti është si ne, i intereson të fitojmë gjithnjë. Ajo është ana më e rëndësishme. Më intereson dhe mua të fitoj gjithnjë, por s’është gjithnjë e mundur.

 

– E kuptoj, por në këto 3 vite marrëdhënie me Federatën e Futbollit, s’ka pasur asnjë moment kur për diçka, t’iu jetë dashur të përdorni autoritetin?

– Pothuajse asnjëherë. Mund të duket diçka, që thuhet sa për të thënë, por është një lidhje e tillë, që ata kanë shumë besim tek unë dhe s’më është dashur asnjëherë të futem në mënyrë të vendosur e të them: Duhet ose kështu, ose s’bëhet.

 

– Sipas jush, prej 3 vitesh brenda futbollit në Shqipëri, çfarë duhet të ndryshojë?

– Pak nga pak po ndryshojmë. Pak nga pak, se s’mund të bëjmë revolucione. Teksa ndryshojmë, luajmë dhe përpiqemi të arrijmë qëllime të rëndësishme. S’është se mund të vëmë një kallëp dinamiti, e të ndryshojmë gjithçka. Duhet të ndryshojmë me qetësi. Mendësia është ajo që duhet të ndryshojë, ndaj dhe po e ndryshojmë pak e nga pak. Këtë po të thosha dhe më parë.

 

– Kur thoni që duhet ndryshuar mentaliteti, në ç’kontekst e keni?

– Të mos kënaqemi me atë që kemi, por të përpiqemi të synojmë edhe më mirë, ditë pas dite. Nëse kënaqesh me rezultatet që ke pasur deri tani, pjesa tjetër e kualifikimit do të jetë katastrofë. Duhet të përpiqemi të kemi uri e motivim për t’u përmirësuar. Duhet të kemi mendësi, që të mos na thonë se, tani që kemi dy parà në xhep duhet të ulemi pak. Duhet të përpiqemi të marrim më shumë. Po jap shembuj praktikë.

 

– Përpara se ta pranonit këtë detyrë, kur ua propozuan, me aq sa e njihje kombëtaren, a ishit optimist po sa sot?

– Unë jam nga natyra optimist. Herën e parë që më kontaktuan thashë që s’më interesonte. Pas pak kohësh më kontaktuan sërish. U takova me presidentin, zv.presidentin e asaj kohe, sekretarin e atëhershëm, si dhe persona të tjerë.

 

– Çfarë ju bëri të ndryshoni mendim?

– Dëshira e tyre për të pasur një trajner italian, që mund t’i ndihmonte me procesin e rritjes, që donin të vinin në zbatim. Besoj se ky ka qenë aspekti, që më bëri të ndryshoj mendim. Si dhe sfida për të qenë i pari, që të arrijë ta çojë Shqipërinë në një garë të madhe. Jam shumë i vendosur dhe ambicioz. Dua t’ia dal me këtë sipërmarrje.

 

Vijon nesër…

Artikuj të tjerëFaqja Kryesore

“Kënga e fundit e mjellmës”… një lamtumirë për 5 futbollistë kuqezi

“Kënga e fundit e mjellmës”… një lamtumirë për 5 futbollistë kuqezi

AlbanianSport.com 15/11/2024 23:40 ASNN – Për herë të fundit në ngjyrat kuqezi, 5 futbollistë i japin

Kombëtarja / Suçek: Tirana na sjell kujtime të këqija, uroj t’i lëmë pas

Kombëtarja / Suçek: Tirana na sjell kujtime të këqija, uroj t’i lëmë pas

AlbanianSport.com 15/11/2024 23:05 ASNN – Ai do të përjetojë një natë të veçantë këtë të shtunë në “Arenën

(Video) Kombëtarja / Kuqezinjtë mbyllin përgatitjet për sfidën çeke

(Video) Kombëtarja / Kuqezinjtë mbyllin përgatitjet për sfidën çeke

AlbanianSport.com 15/11/2024 22:30 ASNN – Liga e Kombeve, Kombëtarja mbyll përgatitjet në “Arenën Kombëtare”, gati për ndeshjen ndaj Çekisë. Kështu, Shqipëria e futbollit është gati për takimin e parë të nëntorit ndaj Çekisë, teska skuadra kuqezi, me në krye trajnerin Silvinjo, mbylli mbrëmjen e së premtes përgatitjet në Stadiumin “Arena Kombëtare” në kryeqytet. Sipas burimeve

(Video) Kombëtarja / Silvinjo: Formacioni? Do të pres deri në fund

(Video) Kombëtarja / Silvinjo: Formacioni? Do të pres deri në fund

AlbanianSport.com 15/11/2024 21:55 ASNN – Trajneri i Kombëtares, Silvinjo, tregoi edhe se si paraqitet

Kombëtarja / Trajneri i Çekisë, Hashek: Synojmë gjithçka në Shqipëri

Kombëtarja / Trajneri i Çekisë, Hashek: Synojmë gjithçka në Shqipëri

AlbanianSport.com 15/11/2024 21:20 ASNN – Trajneri i Çekisë, Hashek: Synojmë maksimumin kundër

  

Kuqezinjtë në “Gjermani 2024” – Vendi Organizator & Të rejat më të fundit

banner
banner
banner

Arkiva

banner
banner
banner
banner
banner
banner

Kontakte dhe informacione

Rrjeti Shqiptar i Lajmeve Sportive (ASNN)

PR & Marketing:
Gentiana Kodra (Pine)

Rrjetet Sociale

Rreth Nesh