Adriatik Balla 12.06.2015 13:20
Institucionet sportive në vend duhet të jenë më të vëmendshme ndaj talenteve në disiplina të ndryshme sportive, pasi në mungesë të investimit në terrene dhe në përgatitjen afatgjatë të sportistëve, ata po shkojnë dëm dhe po humbasin edhe sportet me traditë. Gjimnastika është një sport me traditë në vendin tonë, por mjediset e saj sportive janë shkatërruar dhe në Tiranë po degradohet dhe mjedisi i vetëm që është palestra e Klubit Sportiv “Partizani”.
Pavarësisht rezultateve shumë të mira të gjimnasteve tona, KOKSH dhe MAS nuk po bëjnë asgjë për gjimnastikën, një alarm dhe shqetësim serioz për sportin. Ndërkohë, ekipi kombëtar i femrave në Gjimnastikë Artistike me trajner Vladimir Limaj mori pjesë në veprimtarinë ndërkombëtare të Gjimnastikës Artistike që organizohet çdo vit në Itali nga “CONFSPORTITALIA” Organizate Sportive Ndërkombëtare, ku Shqipëria u përfaqësua me 4 vajza nën drejtimin e trajnerit Vladimir Limaj.
Në renditjen përfundimtare në katër-garësh individuale, Oneda Reçi meritoi vendin e dytë, po ashtu vend të dytë zuri dhe në kërcimin e kaluçit. Vendin e tretë në kërcime meritoi dhe Anxhela Stojna. Vende të treta morën dy gjimnastet Xheni Kozi dhe Eralda Zemanaj në disiplinat përkatëse, tra dhe ushtrime të lira. Organizatoret e veprimtarisë e nderuan trajnerin Vladimir Limaj me trofe te veçantë për nivelin e lartë të paraqitjes së gjimnasteve