Marrë nga “Top Channel” 11.06.2015 21:40
ASNN – Një ditë pas marrjes së pasaportës shqiptare, ai ndihet shumë i motivuar për të fituar ndeshjen e 13 qershorit me Francën.
Karriera, familja, jeta në Shqipëri, në një rrëfim të sinqertë për Jonida Shehun, nga Durrësi, ku është grumbulluar kombëtarja kuqezi.
AlbanianSport.com do t’jua sjellë në 3 pjesë intervistën e trajnerit italiano-shqiptar të Kombëtares kuqezi dhe sot është pjesa e parë, ndërsa dy të tjerat në ditët në vijim.
– Zoti De Biazi, mirëseerdhe në studion tonë të improvizuar.
– Ju falënderoj që erdhët të na vizitoni në vendin ku përgatitemi para ndeshjeve kombëtare, kur luajmë në shtëpi.
– Si është situata e ekipit para ndeshjes me Francën?
– Është mirë. Djemtë kanë dëshirë të bëjnë një ndeshje të bukur. Është e qartë, që është ndeshje shumë e vështirë për ne. Por do të përballemi me frymën e përhershme.
– Tani gjërat kanë ndryshuar, ndryshe nga fillimi, megjithatë ju keni qenë gjithmonë i lidhur me Shqipërinë. Por tani mund të themi me të vërtetë që jeni shqiptar, apo jo?
– Po, është zyrtare. Dje më dhanë pasaportën. Që kur kam ardhur, jam lidhur në mënyrë integrale me projektin në Shqipëri. Është mënyra sesi i bëj punët. Nëse nuk ndihem pjesë e gjërave, vështirë t’i bëj siç duhet.
– Si është pasaporta jote shqiptare?
– Është këtu! Po ta jap ta shikosh. Ta jap ty, meqë s’të dridhet dora.
– Besoj të pëlqen, apo jo?
– Fotoja s’është gjë. Është si prej të kërkuari nga policia.
– Ishte e vështirë ta merrje pasaportën shqiptare?
– S’bëra asgjë praktike. U mor Federata me lëvizjet zyrtare. Bashkëpunuan me zyrën e pasaportave. Unë shkova vetëm për firmën dhe shenjat e gishtave.
– Fillimisht, publiku krijoi idenë që ju e kërkuat me ngulm këtë pasaportë…?
– Le të themi që nuk e kërkova, por m’u ofrua, meqë bëra gjithashtu edhe një publicitet të mirë të shqiptarëve nëpër Europë. Kur m’u dha nënshtetësia nga Presidenti isha vërtet i kënaqur. Hapi tjetër ishte të merrja pasaportën, sepse do të doja të hyja e të dilja nga Shqipëria me pasaportë shqiptare.
– Ndërkohë që të gjithë shqiptarët duan pasaportë italiane, apo çfarëdo tjetër të BE-së; një italian kërkon pasaportën shqiptare…
– Një italian ndryshe, që jeton në Shqipëri prej 3 vitesh e gjysmë; që është ndierë mirë këtu dhe që është përpjekur gjithnjë t’i bëjë gjërat me shumë seriozitet. Fakti i të pasurit pasaportë e nënshtetësi është një kënaqësi më shumë, pasi tregon se puna që kemi bërë bashkë me stafin është vlerësuar në mënyrë shumë të mirë, pozitive.
– Do ta mbash përgjithmonë pasaportën tonë, si mendoni?
– Them se po, po s’ma morën. Nëse s’duan t’ua kthej… Kur të largohem, them se do ta mbaj për të paktën 10 vite. Kur të skadojë, nëse vazhdojmë…
– Ju e dini besoj, që jeni shumë i dashur për shqiptarët. Ata madje të kanë vendosur edhe një emër shqiptar (Gani Abazi). Si t’u duk?
– Një shaka e familjes së madhe të “Facebook”-ut. Është bukur. Nëse shqiptarët më kanë dhënë një emër shqiptar, mirë është. Por i imi mbetet gjithnjë “Gianni De Biazi”.
– Me këtë veprim keni fituar zemrat e të gjithëve, por nëse flasim profesionalisht për kombëtaren dhe rolin tuaj në drejtimin e saj, si erdhi deri këtu kjo kombëtare?
– Vetëm me shumë punë dhe me fatin e mirë, që gjeta djem të motivuar dhe me cilësi, që janë ndierë menjëherë si një skuadër, e që ditë pas dite po bëjnë të pamundurën për të arritur një ëndërr, që e kemi të gjithë. E që është, të çojmë Shqipërinë në një arenë të rëndësishme ndërkombëtare, siç mund të jetë kampionati evropian, por është një rrugë e gjatë dhe jemi ende në mes të udhës.
– Djemtë e kombëtares kanë qenë edhe përpara jush. Merita juaj cila është?
– Nuk e di cila është merita ime. Do të kem qenë me fat. Do të kem pasur ndihmë të madhe nga bashkëpunëtorët e mi, që janë shumë të zotë dhe kanë bërë shumicën e punës. Kanë arritur të bashkojnë këtë grup djemsh. Jam përpjekur të bashkërendoj gjërat, por pjesa më e madhe e meritës u shkon bashkëpunëtorëve.
– Sidoqoftë, keni pasur një strategji…?
– Të gjithë e kanë një mënyrë pune.
– E njihnit pak a shumë gjendjen e kombëtares shqiptare të futbollit…
– Mënyra ime e punës është të nisem nga e para, të ndërtoj themelet e një shtëpie. Për ta bërë, duhet të di mundësitë që kemi. Kemi udhëtuar shumë në vitet e para, për të njohur lojtarë të ndryshëm, për të kuptuar se çfarë ëndrrash e se çfarë ambiciesh kishin, sepse s’mjafton të jesh i aftë teknikisht, por duhet të kesh vlera dhe cilësi me motivim e vendosmëri të madhe, për të sjellë një ndryshim. Kjo ka qenë pjesa më e ndërlikuar e punës. Pastaj është dhe fakti, që kemi pasur pak kohë të punojmë të gjithë bashkë. Që të bësh një ekip të mirë duhet shumë kohë. Patëm fatin, që shumë lojtarë, shumë ingranazhe, u bashkuan dhe bënë një përzierje të brezit të ri me atë të vjetër. Sot kemi një ekip mesatarisht të ri, me perspektiva të mira për të ardhmen.
– Perspektiva të mira për të ardhmen, çdo të thotë?
– Që mund të luftojmë, pak a shumë.
– Sa mund të pretendojmë?
– Gjëja kryesore është që ti dhe gjithë shqiptarët e tjerë keni një kureshtje të madhe dhe një bindje, që sot një gjë është e mundur. Para pak vitesh, as që përfytyrohej të mund të arrinim në një fazë finale, as për ndonjë Botëror, as për Europian. Sot kemi të paktën perceptimin e njerëzve, që takojmë në rrugë, që kjo është një ëndërr e cila mund të realizohet, e që i jemi afruar. Por duhet të kemi durim e të përpiqemi të gjithë bashkë, që të luftojmë. Nuk duhet ta shtyjmë karrocën, kur është duke zbritur në rrëpirë, por kur është në ngjitje.
– Po vetë Xhovani De Biazi, çfarë pretendimesh ka për kombëtaren shqiptare?
– Është e vështirë të thuash se çfarë pretendoj. Por mund të them se çfarë do të doja. Do të doja, që të rriteshim pa ndërprerje. Jeta është e bërë nga hapa të vegjël e fitore të vogla, pak e nga pak. Fitoret e shpejta janë ato të fatit. Ne duhet të bazohemi në fakte reale, në aftësinë për të punuar, të mësohemi me një mendësi tjetër, e të mos kënaqemi kurrë me atë që na jep jeta ose puna. Por të synojmë gjithnjë diçka më të mirë.
– Pak kohë më parë, kur u publikua lajmi se De Biazi do të merrte pasaportë shqiptare, të gjithëve iu mbeti në mendje një fjali: jam e martuar me një shqiptare prej 3 vitesh, kështu që s’ka pse të mos jem shqiptar edhe zyrtarisht. Po shpjegoj pak situatën e krijuar, kur kërkuat pasaportën dhe deklaruat se jeni i martuar prej 3 vitesh me një shqiptare…
– Pastaj e korrigjova deklaratën, sepse pati një keqkuptim dhe m’u desh ta korigjoj. Ju të medieve dini t’i përpunoni mirë fjalitë që thotë dikush.
– Nuk është se nuk e kuptuam…
– Nuk e kuptuat. Po e them edhe një herë. Unë u shpreha se, pasaporta merret kur dikush martohet e rri në një vend tjetër me një grua a diçka e tillë. Gjithë këto aspekte, që përdorin njerëzit gjithnjë. Unë thashë, që isha martuar me një shqiptare prej 3 vitesh. Në atë kohë thashë “prej 3 muajsh”, por e kisha fjalën që isha martuar me Federatën dhe me kombëtaren shqiptare. Një agjenci e huaj e keqkuptoi. Më pyeti edhe im vëlla “Je martuar në Shqipëri?”. Në të vërtetë, jo.
– Si e mori gruaja juaj italiane këtë batutë?
– Asgjë në veçanti. E kuptoi atë që thashë. Ajo di edhe që mediat luajnë me gjëra të tilla, ndaj e sqarova në “Facebook”, që isha martuar me Federatën Shqiptare prej 3 vitesh e gjysmë, nëse e shohim që sot. Por jam i martuar qetësisht e shumë mirë me gruan time, Paolan, me të cilën kam një vajzë, që quhet Kiara, e që është 23 vjeç.
Vijon nesër…