AlbanianSport.com 11.06.2015 20:45
ASNN – Ekipi përfaqësues i Francës ka mbërritur në Tiranës të enjten pasdreke, në përgatitje për ndeshjen e së shtunës me Kombëtaren kuqezi. Avioni që ka sjellë përfaqësuesen franceze është ulur në aeroportin e Rinasit rreth orës 13:45, ndërsa më pas, ajo i është drejtuar me autobus Tiranës, ku është akomoduar në një nga hotelet e kryeqytetit.
Në fakt, trajneri Didier Deshomp e pati shpallur prej afro 3 javës listën e lojtarëve me të cilët do të luajë kundër Shqipërisë më 13 qershor 2015. Në listën e Francës mungon Benzemaja, ndërsa aty janë dyshja Patris Evra dhe Pol Pogba, të cilët, më 6 qershor 2015 luajtën në finalen e Ligës së Kampioneve me Juventusin në Berlin, ku u mundën 1-3 përballë Barcelonës.
Didier Deshomp nuk ka pranuar të flasë për mediat në aeroport, duke thënë se do të mbajë më 12 qershor 2015 një konferencë për shtyp, ndërsa do të zhvillojë në ora 18:00 seancën e fundit stërvitore në Stadiumin “Qemal Stafa” dhe jo në “Elbasan Arena”. Takimi midis Shqipërisë dhe Francës do të luhet të shtunën e 13 qershorit në Stadiumin “Elbasan Arena” dhe do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, duke nisur nga ora 18:00.