Adriatik Balla 11.06.2015 18:55
Dy lojtarët e spikatur të Kombëtares, mesfushori Ermir Lenjani dhe mbrojtësi Elseid Hysaj, besojnë se Kombëtarja mund të befasojë, duke kërkuar fitoren me “gjelat” francezë. Lenjani dhe Hysaj thanë më pas se Kombëtarja jonë nuk e ka frikë Francën, por në të njëjtën kohë këshilluan të bëhet më e mira në fushë për të kënaqur tifozët me një rezultat pozitiv.
Xhovani de Biazi kishte lajmëruar që sfida me Francën nuk duhet konsideruar si një miqësore, por një përballje e rëndësishme për të ardhmen e skuadrës. Në këtë mënyrë, edhe lojtarët në tërësi të përfaqësueses nuk mendojnë ndryshe dhe përveç impenjimit në seancat stërvitore, e tregojnë edhe në konferencat për shtyp. Elseid Hysaj dhe Ermir Lenjani përcjellin kështu mesazhin e tyre për një sfidë që është po aq e rëndësishme sa ato të të gjithë edicionit.
Për Ermir Lenjanin kjo është një përballje e veçantë duke qenë se sfida e luajtur në Renë, më 14 nëntor të vitit të kaluar i dha mundësinë që të luante më pas për skuadrën e këtij qyteti. Pavarësisht luhatjeve në këto 6 muaj, 26-vjeçari thekson se nuk ka asgjë për të treguar. “Luajmë për të dhënë maksimumin me kombëtaren dhe këtë do e shohim në fushë”, – tha Lenjani.
Motivim i madh në këtë ndeshje, por unë nuk kam asgjë për të treguar sepse ata i dinë vlerat e mia, – ka vijuar ai. – Unë kam besim tek fitorja dhe ne do të hyjmë në fushë për të fituar. Do të jetë ndeshje e vështirë, pasi ata kanë grup cilësor. Por ne nuk na tremb Franca, kemi shanset tona dhe luajmë në prani të tifozëve tanë, kështu që do të tentojmë më të mirën.”
Numri 3 i Kombëtares Shqiptare tregon dhe për pritshmëritë që vijnë nga Franca për këtë duel si dhe tregon bisedën me shokun e tij të ekipit tek Rena, Pol-Zhorzh Ntep, i cili është i grumbulluar nga trajneri Didier Deshomp. “Kam folur me Ntep dhe ata janë të interesuar për këtë ndeshje. I kam thënë që aty është një atmosferë që do t’ju habisë”, – përfundoi Lenjani.