Adriatik Balla 11.06.2015 15:15
Gjatë merkatos së verës, mbrojtësi i Kombëtares, Andi Lila, mund të ndërrojë mjedis. “Futbollisti i Parmës, është rrugës për t’iu bashkuar Atalantës”, – shkruajnë mediat në Itali. Tani, vetëm duhet pritur se cili do të jetë fati i Parmës dhe, nëse kjo skuadër nuk arrin t’i shpëtoj krizës financiare, do të dërgohet në Serinë D dhe të gjithë lojtarët, kanë të drejtë të largohen.
Kësisoj Lila mund të kalojë te Atalanta, si lojtar i lirë. Lila është ndër lojtarët më të kërkuar shqiptar në merkaton e kësaj vere, nisur dhe nga cilësitë e tij të mira teknike dhe një lojtar që përkushtohet maksimalisht në fushë. Nëse kalon tek Atalanta, ai bën një hop cilësor në karrierën e tij. Mënyra e transferimit mbetet për t’u parë, në varësi të situatës administrative tek Parma, klub me të cilin Lila ka edhe 3 vite kontratë.
Nëse Parma ja del të shpëtojë nga falimenti që mbetet një kërcënim serioz, atëherë Atalantës i duhet të hyjë në negociata me klubin emiljan për transferimin e Lilës, ndërsa në rast falimentimi të Parmës Lila mund të shkojë tek Atalanta me kosto zero, por me kushte më të mira personale. Mbrojtësi kavajas, i cili transferua te Parma në janar dhe shënoi gjatë fazës së dytë edhe dy gola ndaj Sasuolos dhe Interit, i ka të gjitha “kartat” e duhura për të vijuar aventurën e tij në Serinë A.