AlbanianSport.com 11.06.2015 10:40
ASNN – Kampionati i 77-të Kombëtar i Atletikës për Të Rritur, ka shpallur ekipet “kampione” dhe Vllaznia për meshkuj dhe Tirana për femra, kanë fituar titullin më të rëndësishëm kombëtar. Garat u zhvilluan në pistën e Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa” në kryeqytet. Kështu, Vllaznia dhe Tirana janë “kampionët” e Shqipërisë në atletikë.
Atletët e këtyre dy skuadrave kanë arritur rezultatet më të mira në përfundim të konkurrimit në garat e edicionit të 77-të të Kampionatit Kombëtar të Atletikës për Të Rritur. Përgjatë dy ditëve të fundit, atletët e Vllaznisë, Tiranës, Skënderbeut, Flamurtarit, Teutës, Mjeshtërisë Sportive Durrës, Elbasanit, Partizanit, Dinamos e Kosovës kanë konkurruar në të gjitha disiplinat e “mbretëreshës së sporteve”.
Me 181 pikë në përfundim të gara, Vllaznia për meshkuj është shpallur “kampione” e Shqipërisë, duke lënë pas Tiranën dhe Teutën. Ndërsa për femra titullin “kampion” e fitoi Tirana me 135 pikë. Në vendin e dytë dhe të tretë u renditën Skënderbeu dhe Teuta.
Atletja më e mirë u shpall Luiza Gega që fitoi garën e 1500 metrave, ndërsa për meshkuj, atleti më i mirë u përzgjodh Izmir Smajlaj që fitoi garën e kërcimit së gjati. Për t’u theksuar është fakti që në këtë konkurrim nuk u thye asnjë rekord kombëtar. Garat e e Kampionatit të 77-të Kombëtar i Atletikës për Të Rritur u zhvilluan në pistën me tartan të Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa”, me mbështetjen e “AK Invest” dhe “Moneygram”.