Adriatik Balla 10.06.2015 07:55
Klubet e Superiores kanë nisur të bëjnë lëvizjet e tyre të para, dhe Skënderbeu e Partizani kanë dhënë shenja të qarta përforcimi, pasi kanë marrë elementë cilësorë në gjirin e tyre që në ditët e para të merkatos së verës. Kështu, pas firmës me mesfushorin e talentuar kosovar, Florent Qorraj, Skënderbeu bën një tjetër goditje në merkato. Kështu, kampionët e Shqipërisë kanë transferuar në skuadër sulmuesin brazilian Mateus Lima.
Klubi i Skënderbeut me një komunikatë në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “Facebook” bëri të ditur se ka arritur marrëveshjen me 22-vjeçarin amerikano-jugor dhe do të jetë pikërisht Lima blerja e parë e skuadrës korçare për sulmin. Pas largimeve të brazilianit Diego Martins dhe maqedonasit Aco Stojkov, trajneri Mirel Josa kishte nevojë për të paktën një përforcim në repartin e avancuar dhe presidenti Takaj ja ka plotësuar dëshirën trajnerit kryeqytetas duke i vënë në dispozicion Matues Liman.
Futbollisti do të bashkohet me klubin juglindor në datën 12 qershor dhe, një ditë më pas, ai do të niset me pjesën tjetër të skuadrës në Austri ku Skënderbeu do të zhvillojë fazën përgatitore në prag të përfaqësimit në turin e dytë paraeliminator të Ligës së Kampioneve. Matues Lima mund të konsiderohet një përforcim i rëndësishëm për skuadrën korçare pasi ai ka të dhëna shumë të mira, për më tepër që në të kaluarën ka mbajtur veshur fanellat e disa skuadrave të njohura braziliane.
Spikat aktivizimi te Sport Recife në vitin 2013, ndërkohë që së fundmi, 22-vjeçari ka luajtur me Luverdensen që militon në Serinë B braziliane dhe Operarion. Matues Lima është 186 cm i gjatë dhe luan si qendërsulmues.