Adriatik Balla 07.06.2015 12:15
Lojtarët e Kombëtares po bëhen gati të gjejnë destinacionet e duhura dhe më të mira për sezonin e ri, ndërkohë që një pjesë e veteranëve kërkojnë të nënshkruajnë kontrata të majme financiare, nisur nga eksperienca dhe CV-ja e tyre e kompletuar. Ditët e fundit në qendër të vëmendjes kanë qenë lojtarët kuqezinj që luajnë në kampionatin italian, të cilët kanë spikatur për ofertat që kanë marrë nga klube të ndryshme.
Një pjesë preferojnë të qëndrojnë, siç ndodh me portierin Etrit Berisha, i cili, me shumë gjasë, mund të qëndrojë edhe për një sezon tjetër me Lacion. Por nuk mund të thuhet e njëjta gjë edhe për mbrojtësin kuqezi, kapitenin e skuadrës tonë kombëtare, Lorik Cana, i cili ka mundësi të mëdha të luajë sezonin tjetër në Bundesligën gjermane, konkretisht me Shalke 04-rën.
Por opsionet për Canën nuk fillojnë dhe mbarojnë në Gjermani, pasi për të prej kohësh shfaq interesime edhe Olimpiku i Marsejës në kampionatin francez, por këto javë të merkatos janë vendimtare për marrjen e një vendimi nga ana e mbrojtësit kuqezi. 32-vjeçari mësohet se dëshiron të provojë një përvojë të re në Bundesligë, për shkak të atmosferës së jashtëzakonshme që krijohet në stadiumet gjermane.
Madje është zbuluar se po kërkon shtëpi në Gjermani. Lorik Cana mbërriti në Romë në vitin 2011 nga radhët e Gallatasarajit, që pranoi ta shkëmbente me portierin uruguaian Muslera. Gjatë tre sezoneve me fanellën bardhekaltër, kapiteni i kombëtares shqiptare ka luajtur 82 ndeshje në Serinë A, duke shënuar 2 gola, por edhe pse i ka mbetur edhe një vit në kontratë, e ardhmja e tij pritet të jetë jashtë Italisë.