AlbanianSport.com 06.06.2015 11:20
ASNN – Trajneri i Kombëtares shqiptare, Taulant Stërmasi, e cilësoi super konkurrimin e atletes së tij, Luiza Gega, në “Golden Gala”, “Pietro Menea”, të zhvilluar mbrëmjen e 4 qershorit në Romë. Duke folur për mediat sportive shqiptar, trajneri tha se rezultati i arritur ishte i dyti i saj më i mirë. “Sot, nuk ishte dita e Luizës, por bëri një supergarë, duke parë mundësitë që kishim sot”, – ka deklaruar Stërmasi.
“Ky është rezultati i saj i dytë më i mirë. Jam shumë i kënaqur pasi sportistja po stabilizohet me rezultatet në nivelin 4.02-4.03. Mendoj që të vraposh kaq shpesh 4.02- 4.03.0 do të thotë stabilitet dhe se sportistja do të jetë pjesë e finaleve të çdo eventi në vazhdim: si kampionat botëror, apo edhe Olimpiadë. Realisht, nuk ma merrte mendja se do të vraponim kaq shpejt”, – theksoi ai.
Në vijim të deklaratës, Stërmasi vuri theksin te nevoja e një mbështetjeje më të madhe për sportisten e tij, duke thënë: “Thjesht nëse duam të kemi rezultate për medalje në këto evente duhet të përfshihet i gjithë shteti për të ndihmuar në infrastrukturë brenda ose jashtë vendit. Ndihma e KOKSH-it dhe e klubit, sado të nevojshme janë, nuk mjaftojnë për të kaluar në nivelin më të lartë botëror.”
“Ministria dhe Federata duhet të gjejnë format urgjent për të ndihmuar sportisten e vetme. Mendoj që do të jetë pretendente për medalje në veprimtaritë më të mëdha botërore”, – përfundoi trajneri i Luiza Gegës, Taulant Stërmasi.