AlbanianSport.com 05.06.2015 18:55
ASNN – Atletja Luiza Gega do të mbajë flamurin kuqezi në ceremoninë e hapjes së Lojërave të para Evropiane, “Baku 2015″. Ky vendim është marrë ditët e fundit nga Komiteti Ekzekutiv i KOKSH-it. “Paraqitja e shkëlqyer në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare muajt e fundit ia ka dhënë këtë privilegj atletes sonë më të mirë në vitet e fundit”, – thuhej në deklaratën e Komitetit Olimpik.
“Ceremonia e dorëzimit të flamurit nga presidenti Bujar Nishani do të bëhet më datën 9 qershor, ora 12:00, në Presidencë”, – vijon më tej deklarata e KOKSH-it. Ndërkohë dje, në prezencë edhe të përfaqësueseve të federatave, u vu theksi në grumbullimet e sportistëve. Sipas presidentit të KOKSH-it, Viron Bezhani, u ra dakord që Luiza Gega të stërvitet midis Tiranës dhe Korçës; çiklistët në Itali, ndërsa notarët në një hotel me pishinë në Krujë.
Një ditë përpara nisjes për në Romë, për garën e radhës në “Diamond Ligë” siç është “Golden Gala”, në emisionin “7 pa 5″ në “Vizion Plus” trajneri i rekordmenes Taulant Stërmasi bëri apel për më shumë mbështetje nga shteti. “Duhet investim i madh që ne Lizën ta çojmë atje ku duhet, – ka deklaruar ai. – Janë disa kushte specifike për disiplinat e gjysmëdistancave që është 800-1500 m.”
“Duhet patjetër që sportistët të stërviten në lartësi për vetë specifikat që ka vrapimi siç çiklistët janë të detyruar të pedalojnë në lartësi për të pasur paraqitje të lartë, – ka vijuar ai. – Korça sigurisht që ka kushte shumë të mira, por ka për një periudhë të caktuar që do të thotë nga vera mund të fillosh grumbullimet në lartësi 1700 metra. Sportisti duhet të grumbullohet në shtete të tjera ku në dimër temperatura shkon 25 gradë.
“Ndërsa fatkeqësisht në Shqipëri temperaturat në 1700 metra në dimër janë -5 deri -7 gradë, – ka vijuar Stërmasi. – Realisht e pamundur për t’u stërvitur. Përveç kësaj, janë edhe disa kushte teknike ku mjekësia sportive mungon në Shqipëri. Ka qasje, por duhet investim i shtetit në infrastrukturë në mjekësi sportive dhe në Shqipëri nuk e gjejmë dot. Fatmirësisht, çdo sportist i nivelit të Luizës e ka me vete fizioterapistin, mjekun në çdo grumbullim”.