AlbanianSport.com 05.06.2015 15:40
ASNN – Shkëlqim Muça, trajneri i ri i Tiranës, është prezantuar këtë të premte në mjediset e stadiumit “Selman Stërmasi” në kryeqytet. Ky është një rikthim për të disatën herë për Muçën tek bardheblutë dhe, sipas presidentit Refik Halili, bëhet fjalë për një kontratë 3-vjeçare. 55-vjeçari, një ikonë e skuadrës së Tiranës, e ka pritur mjaft i emocionuar këtë vendim, ku ka premtuar se shumë shpejt do të punojë e do të japë maksimumin për të ngjitur sa më lart emrin e kryeqytetasve.
Sa u përket lojtarëve që do të afrohen apo largohen, Muça nuk ka bërë asnjë koment, duke theksuar se është ende shpejt dhe për këtë do të flasë në ditët në vazhdim. Për herë të fundit, Shkëlqim Muça ka qenë tek skuadra e Tiranës në sezonin 2006-2007. Si lojtar, ai ka luajtur për fanellën bardheblu për 11 vjet, kohë në të cilën ka fituar 7 tituj kampion, ndërsa si trajner mban 4 tituj kampion. Kështu, një emër i njohur i futbollit kryeqytetas rikthehet në krye të skuadrës së Tiranës.
Bëhet fjalë për Shkëlqim Muçën, i cili ka nënshkruar një kontratë 3-vjeçare me klubin bardheblu. Ndërsa presidenti i Tiranës, Refik Halili ka sqaruar edhe njëherë pozitën e tij në krye të klubit bardheblu. Sipas tij, që nga 17 nëntori i 2014-tës, ai është president i Tiranës me të drejta të plota ligjore. Shumë shpejt, trajneri Muça do të fillojë punën për krijimin e një skuadre të denjë për të fituar titullin “kampion” dhe ndihma e presidentit Halili do të jetë e pakursyer.