Adriatik Balla 04.06.2015 18:35
Kategoria Superiore pritet që sezonin e ardhshëm të ketë të njëjtin ritëm si edicioni që sapo u mbyll. Edhe pse është ende herët për të bërë parashikimet, janë emrat e futbollistëve që priten të luajnë ata që do ti rrisin akoma më shumë sharmin kampionatit shqiptar. Në të vërtetë elita e futbollit ka humbur vetëm një element cilësor që dikur ka luajtur edhe me kombëtaren, Elis Bakaj, i cili u largua nga Tirana drejt Izraelit.
Por nëse Bakaj është i larguari i vetëm, në Kategorinë Superiore pritet të rikthehen pas aventurave në kampionatet e huaja sulmuesi Sebino Plaku dhe mbrojtësi Ditmar Bici, të cilët prej kohësh janë stërvitur me Tiranën. Plaku ka mbyllur aventurën tek Shlashku i Vrocllavës në Poloni dhe është gati për rikthimin në Kategorinë Superiore ku nuk i mungojnë ofertat.
Edhe Bici ka mbyllur aventurën në Iran me Traktor Sazi dhe përflitet shumë për një rikthim të tijin tek Tirana. Këto rikthime pritet të forcojnë akoma më shumë kampionatin e ri, teksa është konfirmuar për momentin largimi i disa prej yjeve si Amir Rrahmani, Emiljano Vila, Debatik Curri, Kristi Vangjeli dhe të tjerë. Sezoni që sapo u mbyll ishte më i bukuri dhe i luftuari i viteve të fundit, ndërsa sezoni i ardhshëm premton të jetë akoma më i fortë dhe i luftuar.