Olgert Serani 05.10.2014 10:40
Federata Shqiptare e Mundjes ka akuzuar Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar se ka vepruar me dy standarde në përzgjedhjen e sportistit përfitues të bursës olimpike “Rio 2016″. Në një reagim për “Panorama Sport”, Federata ka deklaruar se Komisioni Teknik ka përjashtuar kandidaturën e vetme të propozuar prej tyre, përkatësisht Egzon Shalën dhe ka përfshirë një tjetër sportist pa dijeninë e tyre. Edhe pse ka përshëndetur nismën e përfshirjes së sportit të mundjes në projektin e bursave olimpike si sport elitar, federata ka shtuar në qëndrimin në fjalë se për këtë çështje do t’u drejtohen organizmave ndërkombëtarë.
“Shprehim keqardhjen për veprimin e radhës aspak të denjë të ndërmarrë nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar ndaj Federatës Shqiptare të Mundjes, – thekson deklarata e FSHM-së. – Të indinjuar me shmangien e federatës nga ky proces, ne konfirmojnë se zgjedhja nga ana e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar ka qenë selektive dhe e qëllimtë. Që në fillimin e procesit korrespodenca me Komitetin Olimpik ka qenë me federatën tonë dhe shumë korrekt. Pra, ishim ne që kemi plotësuar të gjithë dokumentacionin e kërkuar pikërisht nga KOKSH- i. Ndërkohë që ditën e prezantimit të bursave olimpike çuditërisht ne shmangemi në kundërshtim të plotë me ligjin, ndryshe nga sa u veprua me federatat e tjera, ku kishin përfaqësitë e tyre.”
“Sqarojmë për publikun se sportisti i përzgjedhur nga KOKSH-i nuk ka qenë emri i propozuar prej nesh, – vijon më tej organizmi që qeveris mundjen shqiptare. – Edhe pse përfituesi i bursës, Osman Hajdari, është sportisti i licencuar pranë federatës sonë dhe neve si institucion na bëhet qejfi që bëhemi pjesë e projektit olimpik, në fakt ky kandidat nuk ka qenë në dosjen e dorëzuar nga ana jonë pranë KOKSH-it. Egzon Shala, vendi i pestë në Kampionatin Evropian në 2013- n; medalist i bronztë në Lojërat Mesdhetare “Mersin 2013″ dhe së fundmi vendi i 7-të në botë, u propozua nga Këshilli i Trajnerëve fillimisht.”
“Më tej ky propozim u përcoll në kryesi, e cila me vendimin numër 5 e miraton si sportistin e vetëm potencial nga mundja për të përfituar bursë dhe kandidat serioz për t’u kualifikuar në Lojërat Olimpike Verore ‘Rio 2016′”, – thuhej mes të tjerash në reagimin e Federatës Shqiptare të Mundjes. Në fund të deklaratës, federata konfirmoi se do t’u drejtohen institucioneve më të larta shtetërore në vend, Komitetit Olimpik dhe gjithashtu do të vënë në dijeni edhe Federatën Botërore të Mundjes, si dhe Komitetin Olimpik Ndërkombëtar për këtë padrejtësi që u është bërë sipas tyre.