AlbanianSport.com 02.06.2015 11:00
ASNN – Dje pasdite erdhi lajmi i bujshëm nga qeveria botërore e futbollit (FIFA), ku kreu i saj, Sep Blater, i cili kishte pak ditë që kishte fituar mandatin e 5-të radhazi në krye të këtij institucioni, dha dorëheqjen e parevokueshme, duke lënë të lirë mundësinë e ardhjes së një tjetri në këtë post. Tërheqja e Blater u cilësua surprizë nga mediat botërore, për më tepër që ai kishte kritikuar ashpër SHBA-të dhe UEFA-n për “puç”, duke u kujtuar se ishte zgjedhur me votë të lirë dhe gëzonte mbështetjen e komunitetit të futbollit në mbarë botën.
Por presioni i madh i federatave Evropiane, veçanërisht Anglisë, Italisë dhe Gjermanisë, por edhe Spanjës, Francës dhe Holandës, pa harruar presionin e madh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, detyroi Blater të dorëhiqej. Vendimi i tij vjen si surprizë sepse ai mund ta kishte bërë këtë pak ditë para se të zhvilloheshin zgjedhjet, ku fitues me siguri do të dilte princi jordanez Ali Husein. Në një konferencë për shtyp, në mënyrë krejt të papritur, Blater vendosi të tërhiqet, duke thënë se FIFA ka nevojë për një ristrukturim total, nga themelet, dhe një kandidaturë tjetër dhe një president me vizion më të ri do ta mundësojë këtë transformim.
Ai nuk dha arsye të tjera, duke evituar përplasje mediatike me të pakënaqurit, ku dihet që UEFA dhe kreu i saj Mishel Platini ishin kundërshtarët më të egër. “FIFA ka nevojë për ristrukturim me themel”, thuhet në deklaratën e FIFA-së. Do të jetë kongresi i jashtëzakonshëm i FIFA-së ku edhe do të zgjidhet presidenti i ri pas pak minutash. Shpejtësia e dhënies së dorëheqjes dhe veprimi i shpejtë për të mbledhur asamblenë zgjedhore për të votuar kandidatin tjetër për president është shumë e shpejtë. “Do të organizoj një kongres të jashtëzakonshëm për të zgjedhur presidentin e ri”, – tha Blateri.
“Unë do të jem këtu për të ndihmuar me reformat e nisura dhe ato të premtuara dhe që
i duhen këtij institucioni, – vijoi ai. – Tashmë është koha që unë të tërhiqem.”