AlbanianSport.com 02.06.2015 20:00
ASNN – Vetëm katër ditë pas rizgjedhjes midis polemikash për herë të pestë në krye të Federatës Ndërkombëtare të Futbollit, jep dorëheqjen presidenti Sep Blater. Gjatë një konference të papritur për shtyp, ai theksoi se “vendosa që të largohem, pasi mandati im i 5-të nuk ka mbështetjen e të gjithëve”. Kështu, 4 ditë pas rizgjedhjes, Sep Blater jep në mënyrë të çuditshme dorëheqjen nga posti i presidentit të FIFA-s, post të cilin ai e mbante që prej vitit 1998.
Akuzat e vazhdueshme për korrupsion, arrestimet e 7 zyrtarëve të FIFA-s dhe përfshirja e të afërmëve të tij në hetimet fundit të FBI-së, mesa duket kanë shtyrë 79-vjeçarin të largohet nga drejtimi i FIFA-s, organizmi më i lartë i futbollit botëror. Në një konferencë për shtyp, zvicerani Blater ka theksuar se do të vazhdojë detyrën e tij si president deri në Asamblenë e Jashtëzakonshme Zgjedhori, nga e cila do të dalë presidenti i ri i organizmit që qeveris futbollin botëror.
“Kam dhënë shumë në këtë post, megjithatë ajo që ka rëndësi për mua është FIFA dhe futbolli anembanë botës”, – deklaroi Blateri, duke pohuar në vijim një të vërtetë: “Por, mesa duket, mandati im, që mori votat e shumicës në Kongres, nuk ka siguruar mbështetjen e të gjithëve. Kongresi i ardhshëm i FIFA-s është parashikuar të mbahet në Meksikë, më 13 maj të vitit të ardhshëm, por mendoj se deri atëherë është shumë vonë.”
Mediet botërore theksojnë se Kongresi i Jashtëzakonshëm i FIFA-s, nga ku do të dalë dhe presidenti i ri, pritet të zhvillohet mes muajit dhjetor të këtij viti dhe marsit të vitit të ardhshëm. Ditën e hënë, prestigjiozja amerikane, “New York Times” publikoi një dokument, ku shihet se ish-krahu i djathtë i Blater, Zherom Valke, ka autorizuar në vitin 2008 transferimin e 10 milionë dollarëve, shifër kjo, që sipas saj, është përdorur nga FIFA për të siguruar organizimin e Botërorit 2010 nga Afrika e Jugut.
Ky autorizim është një pikë e rëndësishme në hetimet e autoriteteve amerikane, të cilët po i afrohen gjithnjë e më shumë presidentit tashmë të dorëhequr të FIFA-s, Sep Blater. Në fakt, mësohet se ai është duke u hetuar nga autoritetet amerikane si pjesë e hetimeve të fundit të FBI-së ndaj organit më të lartë të futbollit botëror për korrupsion. Lajmi është bërë i ditur nga mediat amerikane vetëm pak pasi Blateri dha dorëheqjen nga posti i presidentit të FIFA-s.