AlbanianSport.com 01.06.2015 18:15
ASNN – Paraqitja e Kombëtares kuqezi në Eliminatoret e Euro 2016-s, ku Shqipëria është si kurrë më parë, pranë kualifikimit për në fazën finale të një veprimtarie madhore ndërkombëtare, ka bërë që futbollistët e trajnerit Xhovani De Biazi të jenë të kërkuar edhe në merkaton e verës. Hamdi Salihi, Sokol Cikalleshi, Bekim Balaj, Shkëlzen Gashi apo Elseid Hysaj, janë vetëm disa nga kuqezinjtë që sezoni i ri padyshim do t’i gjejë në një destinacion tjetër nga ai aktuali.
Merkato verore është shumë pranë dhe lojtarët shqiptarë po bëjnë planet e tyre të së ardhmes. Një nga futbollistët që është më i kërkuari nga lojtarët e përfaqësueses tonë në merkato, është sulmuesi kavajas Sokol Cikalleshi, i cili ka shënuar 14 gola me RNK Splitin në kampionatin kroat. Janë disa skuadra që e ndjekin futbollistin e përfaqësueses tonë, e më konkretisht Kievo, Atalanta dhe Xhenoa në Itali, por edhe disa skuadra të Bundesligës emrat e të cilave nuk jepen nga mediat kroate.
Një tjetër kuqezi që ka spikatur në Kroaci është Bekim Balaj, i cili, edhe pse ka mbërritur në janar te Rijeka ka realizuar 8 gola. Duke llogaritur edhe ata të shënuar me Sllavian e Pragës në Republikën Çeke dhe atë të në fitoren e bujshme të Shqipërisë ndaj Portugalisë janë plot 12 gola që nga shtatori i vitit të shkuar. Shkodrani Hamdi Salihi është gjithashtu në merkato, pasi e ka mbyllur aventurën e tij në Izrael, ku shënoi 13 gola këtë sezon, duke e ndihmuar skuadrën e tij të Makabit të Haifas të mbijetojë.
Një tjetër sulmues kuqezi, Shkëlzen Gashi, tashmë duket se po arrin kulmin, duke u shpallur “kampion” me Bazelin si dhe duke fituar, për të dytin sezon radhazi, çminin “Këpuca e Artë”, si golashënuesi më i mirë në Superligën e Zvicrës. Kjo ka bërë që në gjurmët e tij të vihet klubi i Lacios, ku drejtori sportiv, Igli Tare, duket se po kërkon ta zgjerojë koloninë shqiptare atje. Por, jo vetëm sulmuesit kuqezi janë të kërkuar në merkaton e verës.
Elseid Hysaj ka spikatur jo vetëm me Kombëtaren, por edhe me Empolin në Serinë A dhe ai është një tjetër emër që është përfolur në lidhje me një kalim të mundshëm te Lacio. Duke mbetur tek klubi i kryeqytetit italian, portier i ri, Thomas Strakosha, që është i biri i ish-gardianit të mirënjohur të Kombëtares, Fotos, është huazuar tek skuadra e Salernitanës, për të patur më tepë hapësirë për aktivizim.