Adriatik Balla 31.05.2015 14:30
Suksesi i Laçit në finalen e Kupës së Shqipërisë nuk ka trishtuar vetëm Kukësin, që e mbylli pa trofe sezonin e tretë në Superiore, por edhe Tiranën, që nuk do të marrë pjesë në Ligën e Evropës sezonin e ardhshëm. Bardheblutë shpresonin që Kupa të bëhej pronë e kuksianëve dhe në bazë të këtij skenari kishin hartuar një program për të nisur përgatitjet që më 10 qershor 2015, por planet kanë ndryshuar me pushimet në kampin bardheblu që pritet të zgjasin për një kohë më të gjatë.
Pa Kupat e Evropës, ndryshon edhe strategjia e presidentit Refik Halili për ndërtimin e një skuadre pretendente për sezonin e ardhshëm. Zyra për shtyp e klubit bardheblu ka njoftuar se së shpejti do të emërohet edhe trajneri i ri, që sipas të gjitha gjasave do të jetë Shkëlqim Muça, ndërsa për emrat e futbollistëve që do t’i bashkohen skuadrës si përforcime do të mësohen më vonë. Tirana nuk është në emergjencë për lojtarë, çka i jep kohën e mjaftueshme Halilit që të bëjë zgjedhjet e duhura.
Por, nga ana tjetër, pa pjesëmarrjen në Ligën e Evropës, drejtuesit bardheblu duhet të jenë të kujdesshëm për të mos lejuar largimin e elementëve më të mirë. Shkëlqim Muça si trajner i Tiranës pritet të sjellë optimizëm, pasi ai e njeh mjedisin bardheblu dhe e ka drejtuar dhe më parë këtë klub si trajner e drejtues dhe do të dijë të formatojë një skuadër të aftë të fitojë trofe në edicionin e ardhshëm.